Daja: Ky është Skënderbeu im, përparësi talenteve

Futboll

Daja: Ky është Skënderbeu im, përparësi talenteve

Më: 14 janar 2017 Në ora: 13:54
Daja

Nuk ka asnjë ditë pushimi për Skënderbeun në Antalya. Vetëm disa orë pas miqësores pozitive të fituar me shifrat 3-1 ndaj skuadrës azere të Sumqayit, kampionët zbritën rregullisht në fushën stërvitore për të zhvilluar seancën e radhës. Ajo e paradites së të Shtunës ishte një seancë e lehtë dhe më tepër shplodhëse për futbollistët që u aktivizuan në takimin e të Premtes. Forma që treguan korcarët sidomos në repartin sulmues në takimin ndaj Sumqayit ka lënë plotësisht të kënaqur trajnerin Ilir Daja, i cili në prononcimin e tij të radhës për Supersport nga Antalya vlerësoi paraqitjen e Skënderbeut.

“Rezultati në ndeshjet miqësore nuk tregon atë që është qëllimi ynë kryesor. Megjithatë, ndaj Sumqayit bëmë një paraqitje shumë të mirë. Skuadra u përmirësua në fazën sulmuese. Me rikthimin e Salihit që dihet se cfarë sulmuesi është kemi më shumë potencial sulmues dhe këtë e treguam në miqësoren e fundit. Jam i kënaqur sepse skuadra u përmirësua ndjeshëm në fazën ofensive”.

Gjatë kësaj periudhe te korcarët janë afruar tre futbollistë në provë, mesfushori rumun Predescu dhe dy talentet e reja, kanadezi Boakai dhe nigeriani Charles, madje ky i fundit arriti të gjente rrugën e golit në miqësoren ndaj Sumqayit. Ndeshja e radhës ajo ndaj Qarabagut do të vendosë edhe për fatin e këtyre e futbollistëve nëse do të jenë apo jo pjesë e kampionëve edhe në vazhdim, edhe pse sipas Dajës ai që ka më shumë shanse për të qëndruar është rumuni Predescu.

“Ndaj Qarabagut kemi një test të vështirë dhe të rëndësishëm, aty do të shoh më mirë se cilët nga lojtarët e afruar në provë mund t’i shërbejnë Skënderbeut. Mund të them që rumuni Predescu ka më shumë shanse për tu bërë pjesë e skuadrës sonë, ndërsa nigeriani Charles që shënoi edhe një gol në miqësore është një lojtar me të dhëna të mira por që mund të na shërbejë më shumë për prespektivën”.

Në fund Daja shkëputi edhe një mendim për talentet e reja të Skënderbeu duke iu referuar faktit që Agim Zeka është shumë pranë kalimit te skuadra franceze e Lille. Objektivi i trajnerit kryeqytetas me Skënderbeun nuk është vetëm titulli por edhe zbulimi i sa më shumë futbollistëve të rinj që mund të ndihmojnë politikat e klubit korcar duke i sjellë të ardhura të mëdha Skënderbeut.

“Unë do ta shihja në anën pozitive pasi është një vlerë e shtuar. Politikat e klubit kanë qenë të mirëmenduara pasi përvec se Skënderbeu ka një grup që i ka mundësitë të dali kampion, Skënderbeu po zbulon edhe talente që mund ti sjellin të ardhura klubit. Me mua do të kenë më shumë hapësira elementët e rinj, por ne do të punojmë edhe për arritjen e objektivit titull”.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat