Partizani, goleadë dhe spektakël në miqësoren e fundit

Futboll

Partizani, goleadë dhe spektakël në miqësoren e fundit

Më: 16 janar 2017 Në ora: 16:16
Pamje nga një ndeshje

Partizani ka mposhtur me rezultatin e thellë 6-2 skuadrën U-21 të azerëve të Gabalës. Të kuqtë e drejtuar nga Sulejman Starova nuk patën aspak vështirësi përballë një kundërshtari shumë më të dobët. Kjo ishte ndeshja e fundit e Partizanit në Turqi që e mbyll këtë fazë përgatitore sa i përket ndeshjeve miqësore me 2 fitore dhe 1 humbje.

Formacioni titullar me të cilin trajneri i Partizanit e nisi këtë ndeshje ka disa ndryshime nga 11-shja që jemi mësuar të shohim zakonisht, teksa në fushë janë hedhur:

Xhika; Fejzullahu, Krasniqi, Atanda, Kalari; Ramadani, Batha, Cetkoviç; Bardhi, Mazrekaj, Fili.

Ndërkohë gjatë pjesës së dytë u aktivizuan disa futbollistë të tjerë si Ibrahimi, Trashi, Bonifejs, Dajsinani, Jaupaj, Ekuban, Marku, Hakaj, Ismailaj dhe Çela.

Plot 7 gola u realizuan në pjesën e parë. Ekipi U-21 i Gabalës tregoi një nivel mjaft të dobët përballë forcës së nënkampionëve të Shqipërisë, të cilët gjetën me lehtësi 5 herë rrjetën e kundërshtarit. Krasniqi, Atanda, Fili dhe një dopietë e të rikthyerit Mazrekaj dhuruan spektakël në 45 minutat e para të miqësores së fundit të “demave” të kuq në Antalja.

Në 45 minutat e dyta ritmi i lojës ra ndjeshëm, edhe për shkak të zëvendësimeve të shumta që trajneri Starova kreu në radhët e Partizanit. Në minutën e 64-t, Jurgen Bardhi u detyrua të dilte nga fusha i dëmtuar. Ndërkohë golin e fundit për Partizanin e shënoi Jaupaj në minutën e 87, raporton panoramasport.

Partizani – Gabala (U-21) 6:2
Krasniqi 2’, Mazrekaj 5’, 22′, Atanda 28′, Fili 41′, Jaupaj 87′ / Rolan 25′, Elvit 39′

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat