Manaj kalon te skuadra e Serie B

Futboll

Manaj kalon te skuadra e Serie B

Më: 18 janar 2017 Në ora: 14:57
Rey Manaj

Marrëveshja ishte arritur që më herët por tashmë ka ardhur edhe zyrtarizimi, Rey Manaj është një futbollist i Pisës. Sulmuesi shqiptar është transferuar në formë huazimi nga Interi te skuadra që drejtohet nga Genaro Gattuso për 6 muajt e ardhshëm. Pas përfundimit të aventurës me Pescarën për 19-vjecarin nga Lushnja tanimë nis një eksperiencë e re në Serinë B italiane. Te Pisa Manaj gjen dy lojtarë shqiptarë sulmuesin e kombëtares kuqezi Edgar Cani me të cilin do të luftojë për një vend në formacion por edhe portierin dhe kapitenin e kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani. Manaj është transferuar te Pisa në formën e huazimi nga Interi me të drejtë blerje në fund të sezonit dhe me opsion riblerjeje në favor të skuadrës zikaltër në vitet në vazhdim. Kjo do të thotë që drejtuesit vazhdojnë të besojnë te aftësitë e kuqeziut dhe në një të ardhme të afër talenti shqiptar mund të jetë sërish pjesë e skuadrës zikaltër. Me Pescarën në pjesën e parë të sezonit, Manaj zhvilloi në total 12 ndeshje në Serinë A duke realizuar dhe 2 gola, pikërisht ata ndaj Sassuolos dhe Genoas. Me fanellën e Interit, Manaj ka luajtur në total 4 ndeshje, ndërkohë që me kombëtaren shqiptare numëron 3 paraqitje dhe 1 gol të realizuar atë në debutimin e tij ndaj Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat