Ekuban: Partizani nuk duhet të ndalet

Futboll

Ekuban: Partizani nuk duhet të ndalet

Më: 24 janar 2017 Në ora: 19:37
Ekuban

Ai është njeri gol dhe surpriza më e ëmbël e Partizanit pas dy fazave të para të kampionatit. Ekuban po rezulon njeriu kyç pas një starti jo shumë pozitiv që kulmoi me atë dygolësh në transfertën e Korçës. Ganezi i huazuar nga Chievo Verona deri në fund të këtij sezoni e shikon me optimizëm ecurinë e të kuqve deri në fund të sezonit, dukshëm i kënaqur për ecurinë e ekipit.

“Nuk e nisëm kampionatin me këmbën e mbarë, por me kalimin e javëve filluam të luanim si skuadër. Jemi përmirësuar e kemi rritur ndjeshëm ritmin dhe kemi dalë deri në diku në lojën tonë. Megjithatë kemi ende për t’u përmirësuar, dhe kjo është një periudhë në të cilën nuk duhet të ndalemi dhe të provojmë të vazhdojmë kështu”.

Pak ditë më parë bomberi i kuq nuk i kurseu elozhet për Kampionatin Shqiptar në një intervistë për mediat italiane duke e krahasuar Serie B me Kategorinë Superiore. Në rast të dilemës së zgjedhjes mes dy kampionateve, Ekuban nuk ka asnjë dyshim.

” Unë për momentin do të preferoja të luaja në Serinë A, por për të qenë i sinqertë aktualisht mund të isha pjesë e skuadrave të Serisë B. Në këtë kontekst ndihem i lumtur këtu, jam përshtatur shumë mirë në familjen Partizani dhe po argëtohem gjithnjë e më shumë”. 

Ekuban nuk e përjashton mundësinë e qëndrimit te Partizani përtej kontratës aktuale që përfundon në fund të këtij sezoni.

“Unë do të jem këtu deri në përfundim të kontratës time me të Kuqtë e cila skadon në Qershor, më pas të shohim se cfarë do të ndodhë, por për momentin jam i përqëndruar ashtu si edhe shokët e mi të skuadrës për të dhënë më të mirën në fushë. Në Itali përdorin shpesh shprehjen që futbolli është i cuditshëm. Nuk e di nëse do të jemë pjesë e Partizanit edhe sezonin e ardhshëm, por nëse kjo ndodh do të isha shumë i lumtur”.

I pyetur nëse e ka ndjekur merkaton e rivalëve, Ekuban u përgjigj me diplomaci duke theksuar se është Partizani skuadra që ka afruar më shumë elementë cilësorë. Ndeshjen e parë të fazës së tretë, Partizani do ta luajë në transfertën e Gjirokastrës, aty ku Ekuban do të mungojë për shkak kartonësh, por ai ka një porosi për të gjithë shokët e skuadrës.

“Mendoj se kemi lojtarë në skuadër që mund të më zëvendësojnë më së miri në sfidën ndaj Luftëtarit. Kush do të shënojë në mungesë të Ekuban? U kam thënë të gjithë sulmuesve që kemi në skuadër që do të realizojnë nga një gol me kokë”.

Në fund, ai theksoi se konkurrenca nuk e tremb aspak. Ai e shikon veten edhe në të njëjtin formacion me Sukajn, duke theksuar se ndryshe nga bomberi shkodran ai ka karakteristika të ndryshme dhe mund t’i japë më shumë opsione trajnerit Starova për fazën e sulmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat