Tirana me mungesa, Josa stërvit vetëm 18 lojtarë

Futboll

Tirana me mungesa, Josa stërvit vetëm 18 lojtarë

Më: 8 shkurt 2017 Në ora: 23:10
Josa

Tirana kërkon 3 pikë për të shkelmuar krizën por me grupin ende të cunguar, skuadra e Mirel Josës do ta ketë shumë të vështirë këtë mision të shtunën në “Selman Stermasi”. Grupi bardheblu zhvilloi normalisht në qëndën stërvitore “Skënder Halili” seancën stërvitore nën urdhrat e trajnerit kryeqytetas. Ishte 18 numri i lojtarëve në dispozicion të Josës, i cili vazhdon të jetë me dhimbje koke për shkak të mungesave shumë të rëndësishme në grupin e tij. Josa dhe ndihmësi i tij, Ivan Gvozdenovic ndoqën nga afër stërvitjen e së mërkurës ku kishin në dispozicion vetëm 18 lojtarë, shumë prej të cilëve të rinj. Mungesa më e madhe për Tiranën është kongolezi Merveill i cili nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e kampionatit por do të rikthehet për atë të Kupës në “Zeqir Ymeri” gjatë mesjavës së ardhshme.

Një tjetër emër që mungoi në seancën stërvitore ishte Olsi Teqja, i cili vazhdon të punojë i diferencuar. Mesfushori ganez Ruben Acquah ishte një tjetër mungesë sepse do të duhen disa javë që trajneri Josa ta ketë në dispozicion për shkak të një dëmtimi, ndërsa Dorian Kërçiku kandidon për një vend titullari në mesfushë pasi është rikuperuar plotësisht. Me 27 pikë në klasifikim, vetëm 2 më shumë se Luftëtari, Tirana mban vendin e katërt në klasifikim por këtë fundjavë bardheblutë i viziton Kukësi kryesues, ndërsa në javën e 22-të bardheblutë do të luajnë derbin e tretë sezonal ndaj Partizanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat