Derbi, Partizani e Tirana “ndezin motorët”

Futboll

Derbi, Partizani e Tirana “ndezin motorët”

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 22:16
Partizani - Tirana

Derbi i 148 në histori mes Partizanit dhe Tiranës po përgatitet në heshtje të plotë në zyrat e të dy klubeve, gjithsesi Starova dhe Josa, trajnerët respektive, janë fokusuar në seancat stërvitore për të ndërtuar formacionet më të mira të mundshme në këtë përballje plot rivalitet që do të zhvillohet në “Selman Stërmasi”.

Partizani, në fakt i ka nisur përgatitjet për derbin që pas barazimit 0-0 me Teutën në Niko Dovana, ndërsa për bardheblutë seanca e kësaj të enjteje ishte e para në funksion të përplasjes ndërqytetase, pas impenjimit të bardhebluve në Kukën e Shqipërisë.

Nga të paktat raste në këtë sezon, grupi i të kuqve ishte i plotë, pas asnjë të dëmtuar apo të pezulluar. Nën urdhrat e stafit teknik numëroheshin plot 28 futbollistë, por sigurisht vetëm 18 prej tyre do të grumbullohen për derbin. Starova vazhdon t’i mbajë të përziera kartat përsa i përket formacionit titullar, megjithatë nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim thelbësor me 11-shen që u hodh në fushë nga minuta e parë ndaj “Djemve të Detit”. Te Partizani kanë pritshmëri të larta për grumbullimin e Xhevahir Sukajt, i cili ka shfaqur formë të mirë fizike në seancat stërvitore. Shkodrani pritej të ishte të paktën në pankinë edhe në transfertën e Durrësit, por stafi vendosi ta shtyjë debutimin, ndoshta për t’u rezervuar një surprizë të këndshme tifozëve pikërisht në derbi. Shkodrani ishte autor i një prej dy golave të Partizanit në derbin e fundit të sezonit të kaluar, që përfundooi në barazim 2-2.

Te Tirana, pavarësisht kualifikimt në gjysmëfinale të Kupës, situata nuk është nga më të mirat e mundshme. Pwrtej reuzltateve negative në javët e fundit të kampionatit, Josa duhet të bëjë pa Dorian Kërcikun, i dëmtuar në ndaj Kukësit. Mbrojtësi i krahut të djathtë ka qenë i pranishëm vetëm në fillim të seancës stërvitore për të vijuar më pas me fizioterapinë.

Në dyshim është edhe Mosie, i cili ka bërë vrapime rreth fushës, ndërkohë që pjesa tjetër e skuadrës ishte e fokusuar te ushtrimet me top. Stafi i Tiranës beson se deri të hënën mefushori kongolez do të jetë i gatshëm për derbin.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat