Vllaznia, sfida delikate për Skënderbeun

Futboll

Vllaznia, sfida delikate për Skënderbeun

Më: 23 shkurt 2017 Në ora: 22:50
ilustrim

Vllaznia dhe Skënderbeu do të ndeshen të Shtunën nga pozita të ndryshme në klasifikim por në një moment të mirë për të dyja skuadrat. Shkodranët kanë fituar terren në betejën për mbijetesë pas fitoreve ndaj Flamurtarit dhe Korabit, ndërsa korçarët e kanë ngushtuar në -2 diferencën me kryesuesit e Kukësit. Gjithsesi, nëse situata aktuale është komode për të dyja skuadrat, në “Loro Boriçi” do të zbresin dy skuadra me fytyra të ndryshme.

Vllaznia nuk do të ketë në dispozicion tre titullarë të formacionit të Cungut, të cilët u dënuan me kartonë të verdhë në transfertën e Durrësit kundër Korabit. Bëhet fjalë për mesfushorët Olsi Gocaj e Ardit Krymi si dhe mbrojtësin Endri Vrapi. Nëse i shtojmë listës së mungesave edhe të dëmtuarit, situata bëhet alarmante në kampin shkodran.

Cicmil e ka mbyllur tashmë sezonin, ndërsa në dyshim mbeten Kapaklia, Pjeshka,  Marku, Muleno dhe Erkoçeviç.  Plot 6 mbrojtës që pritet të mos jenë të gatshëm për trajnerin Armando Cungu, i cili duhet të bëjë modifikime të rëndësishme në skuadër për t’u prezantuar në duelin e së Shtunës në orën 17:00. Në krahun tjetër, Ilir Daja qetësohet pasi do të ketë në dispozicion Hamdi Salihin dhe Tefik Osmanin.

Sulmuesi shkodran nuk ka asnjë problem fizik tashmë, ndërsa mbrojtësi korçar do të zbresë në fushë që nga minuta e parë për të zënë vendin e të skualifikuarit Bajram Jashanica. Situata diametralisht të ndryshme në të dy kampet që nuk favorizojnë aspak Vllazninë me erën që shtyn kampionët drejt një transferte delikate por ndoshta jo të pakalueshme, pikërisht për shkak të situatës alarmante në gjirin e skuadrës së Cungut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat