Veronese, entuziast për aventurën e re me Shqipërinë

Futboll

Veronese, entuziast për aventurën e re me Shqipërinë

Më: 20 mars 2017 Në ora: 19:24
Marco Veronese

Në konferencën për shtyp, ku u publikua lista e lojtarëve të grumbulluar për sfidën kualifikuese me Italinë, u prezantua zyrtarisht edhe Marco Veronese. Ish-sulmuesi i rritur në Akademinë e Interit, që do të jetë krahu i djathtë i trajnerit De Biasi, u shpreh entuziast për aventurën e re dhe faktin që do të debutojë pikërisht kundër “të kaltërve”.

“Jam i lumtur që jam bërë pjesë e Kombëtares shqiptare dhe fakti që luaj kundër Italisë, që është një prej skuadrave më prestigjoze më botë, është një stimul për mua, ashtu si edhe për ekipin. Atmosfera në Palermo do të jetë shumë e bukur. Jam i motivuar dhe shpresoj që entuziazmin dhe dëshirën për të bërë një punë të mirë t’ia transmetoj edhe skuadrës.”

Veronese tregon sesi bëri të pamundurën që të përzgjidhej nga Gianni De Biasi në rolin e asistentit, ndërsa për të bërë një punë sa më të mirë për Kombëtaren premton edhe netë pa gjumë.

“Për mua ishte një vendim i papritur, edhe pse dëshiroja me çdo kusht që të përzgjidhesha nga trajneri De Biasi. Ndihem i nderuar dhe jam i lumtur që u bëra pjesë e një skuadre që në vitet e fundit është shndërruar në një prej përfaqësueseve më të rëndësishme në nivel europian.

Jam i vetëdijshëm që si i fundit i afruar, duhet të vendosem në dispozicion të skuadrës dhe të kuptoj sa më shpejt që të jetë e mundur dinamikat brenda ekipit. Do të jap maksimumin. Preferoj të mos fle natën, për ti bërë gjërat si duhet. Jam i sigurt që nëse punoj mirë, impenjohem dhe jam i bindur në atë që bëj, kjo është pozitive.”

Ndihmës-trajneri ka nisur punën prej dy muajsh, duke vëzhguar ecurinë e lojtarëve kuqezi në terren, ndërsa nuk kanë munguar edhe këshillat nga paraardhësi i tij, Paolo Tramezzani.

“Prej dy muajsh punoj çdo ditë për të njohur secilin futbollist, ndërsa çdo të diel kam ndjekur të gjitha ndeshjet e lojtarëve tanë. Karakteristikat tipike të lojtarit shqiptar mendoj se është karakteri i fort dhe të japë gjithmonë maksimumin në fushë. Këto janë karakteristikat që e dërguar Kombëtaren në nivele të larta. Në Euroopian më befasoi fakti që futbollistët vraponin për 90 minuta dhe jepnin shpirtin në fushë, ndërsa nuk mungojnë edhe aftësitë e rëndësishme teknike dhe atletike. Me Tramezzanin jemi takuar dhe më ka këshilluar të jem vetvetja dhe të ndjek trajnerin De Biasin".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat