Ujkani: Islanda ka shumë cilësi...

Futboll

Ujkani: Islanda ka shumë cilësi...

Më: 22 mars 2017 Në ora: 17:24
Samir Ujkani

Atmosferë e mirë në kampin e kombëtares së Kosovës në futboll. Gjithçka shkon sipas planit. Stërvitin me zell të shtuar, me një synim që të komponohen sa më mirë në prag të sfidës të së premtes (me 24 mars në orën 20.45), kundër Islandës, në kuadër të xhiros së pestë të grupit I të kualifikimeve për Kampionatin Botëror - ‘Rusia 2018’. Djelmoshat tanë me optimizëm e presin ballafaqimin dhe kërkojnë fitoren e parë. Kombëtarja e Kosovës ka një barazim e tri humbje në kuadër të grupit.

Djelmoshat tanë zhvilluan stërvitjen e parë në Shqipëri.  Përzgjedhësi Albert Bunjaki zbriti në stadiumin e Laçit për të vijuar përgatitjet e sfidës eliminatore kundër Islandës. Mes pritshmërive të mëdha dhe emrave të shtuar në listën e trajnerit lojtari më i lakuar që mund të rezultojë kyç në këtë duel është sulmuesi Besart Berisha, i cili do të debutojë me fanellën e kombëtares. Bashkë me sulmuesin e Melbourne Victory u stërvit i gjithë grupi që fillimisht u zhvendos në mesfushë për të marrë këshillat e trajnerit Bunjaku dhe për të vazhduar me pas me programin stërvitor. Kapiteni Samir Ujkani, rikthehet të luajë kundër Islandës, kundërshtari i fundit me të cilin u ndesh me Kombëtaren Shqiptare. Ujkani është në formë të mirë, i cili mbron për ekipin e Serie B, Pisa.

“Me fanellën e Shqipërisë kam luajtur ndeshjen e fundit kundër Islandës por ka kaluar shumë kohë dhe të premten shpresoj të paraqitemi sa më mirë për të arritur një rezultat pozitiv”, ka thënë Ujkani. Ai më tutje analizon edhe kundërshtarin, duke e pranuar se Islanda është një skuadër shumë e fortë dhe këtë e tregoi si në Europian por edhe në ndeshjet eliminatore të Botërorit 2018. “Islanda është një kundërshtar i fortë por ne shikojmë ndeshjen tonë. Futbolli është i bukur sepse mund t’i befasojmë në mënyrë që të kënaqim popullin tonë. Islanda ka shumë cilësi në aspektin e grupit. Lojtarët e njohin njëri-tjetrin dhe duhet të kemi kujdes në goditjet standarde”, thotë Ujkani. Ndërkohë, në kampin e kombëtares së Kosovës janë në pritje të përgjigjes nga FIFA për aktivizimin e Dionis Avdiajt, i cili mund të marrë një përgjigje përfundimtare vetëm pak orë përpara ndeshjes. Me një fjalë, Kosova përgatitet për ndeshjen e madhe dhe për rezultat pozitiv. Kosova deri më tash ka zhvilluar ndeshjen me Finlandën në Turku dhe kishte barazuar me rezultat 1:1, në Shkodër është mposhtur me rezultat 6:0 nga Kroacia, pastaj pësoi në Krakov të Polonisë me rezultat 3:0 nga Ukraina dhe në Antalia u mund me 2:0 nga Turqia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat