Kastrati: Jemi i vetmi ekip që luajmë me sistem italian

Futboll

Kastrati: Jemi i vetmi ekip që luajmë me sistem italian

Nga: Kemajl Goca Më: 24 mars 2017 Në ora: 18:08
Flamur Kastrati

Në fillim të muajit prill fillon edicioni i ri në elitën e futbollit norvegjez. Qendërsulmuesi nga Kosova, Flamur Kastrati, premton se do të ketë një edicion të bereqetshëm në fanellën e ekipi të ri, Sandefjord. Futbollisti me prejardhje nga Peja, një kohë të gjatë kishte luajtur në petkun e Stromsgodset-it, ekip ky nga Norvegjia, po ashtu edhe disa herë është paraqitur për kombëtaren e Kosovës. Ai në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot” tha se atmosfera është shumë e mirë në ekipin e Sandefjord-it dhe zotohet se do të jap maksimumin, me synim që të shënojë sa më shumë gola.

“Bota sot”: Flamur,  futbolli norvegjez e njihni mirë, si ndjehesh në ekipin e ri, FC Sandefjord?

Flamur Kastrati: Jam i kënaqur shumë që nga koha kur kam ardhur në këtë mjedis! I vetmi ekip në kampionatin norvegjez që luan me sistemin italian 3-5-2! Këtu tash do të luajë në pozicion tim, sulmues në qendër.

“Bota sot”: Pas një periudhe Sandefjord rikthehet në elitën e futbollit norvegjez, cilat janë synimet?

Flamur Kastrati: Sipas mendimit tim, kemi ekip të mirë! E kemi ekipin për Top-10 skuadrat në renditje! E dimë se do të jetë vështirë, por me punë do t’i arrijmë të gjitha synimet.

“Bota sot”: Kampionati i ri po afrohet, sa jeni të përgatitur?

Flamur Kastrati: Jam shumë mirë i përgatitur! Kam punuar shumë dhe deri më tash jam shënuesi më i mirë në ekip me ndeshjet miqësore.

“Bota sot”: Në ndeshjen e parë (me 2 prill) do të luani në konak të Lillestromit, çfarë synoni, sa është vështirë?

Flamur Kastrati: Realisht 4-5 ndeshjet e para si gjithmonë janë të vështira. Ai ekip që vrapon më së shumti, që luan më mirë, do të fitojë lojën.

“Bota sot”: Çfarë premtoni si qendërsulmues?

Flamur Kastrati: Do të mundohem të shënojë sa më shumë gola. Synoj me dëshmuar lojëra sa më të mira dhe me ndihmuar Sandefjordi-n që t’i arrijë synimet.

“Bota sot”: A mendoni se do të jetë prej edicioneve më të mira në karrierën tuaj?

Flamur Kastrati: Ka me qenë sezon i vështirë, se është ekip i vogël, por kam shpresa që kemi me bërë kampionat të mirë! Unë si sulmues duhet më shënuar gola sa herë të më jepet rasti, sepse kjo është detyrë e imja!

“Bota sot”: Cilat skuadra janë për titull?

Flamur Kastrati: Normalisht se janë Rosenborg, Valerenga e Odd.

“Bota sot”: Sa është vështirë të stërvitet dhe luhet me stil italian?

Flamur Kastrati: Është shumë sistem i mirë nëse të gjithë janë të koncentruar. Megjithatë, mundet me pasur edhe pak probleme me këtë sistem.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat