Veseli habit për Canën

Futboll

Veseli habit për Canën

Më: 26 mars 2017 Në ora: 15:31
Veseli

Frederik Veseli ishte një nga risitë më të bukura të Shqipërisë në sfidën e “Renzo Barberas” ndaj Italisë. Mbrojtësi i Empolit u aktivizua për herë të parë si titullar nga trajneri Gianni De Biasi  në një rol ndryshe nga ai që luan te skuadra e Serisë A, pasi për shkak të mungesave të shumta në mbrojtje u vendos në qendër të prapavijës përkrah Ajetit dhe Kukelit. 24-vjecari e përligji besimin që i dha trajneri duke bërë një paraqitje pozitive. Të luante ndaj Italisë me ngjyrat e Shqipërisë që nga fillimi ishte një ëndërr e bërë realitet për Veselin.

“Unë kam  bërë punën time, jam në dispozicion të trajnerit në dispozicion të kombëtares, e vërtetova në ndeshjen ndaj Italisë. Nëse kam mundësi të luaj për mua është një bonus i madh dhe shpresoj të vazhdoj të jap maksimumin tim për Shqipërinë. Me aktivizimin titullar ndaj Italisë unë realizova një ëndërr timen për të nisur një ndeshje që nga fillimi me kombin tim. U mundova të bëja një lojë të mirë. Italia është një skuadër shumë e fortë por si individë nuk mund të vecoj asnjërin sepse nuk kishte një futbollist që më befasoi. Besoj se bëmë një ndeshje të mirë ndaj Italisë por për fatin tonë të keq nuk morëm pikë.”

Në vijim të konferencës për shtyp, Veseli shpjegoi edhe arsyet se përse trajneri De Biasi beson aq shumë tek ai, ndërsa shtoi se për të e rëndësishme është të luajë nuk ka rëndësi se në çfarë roli.

” E rëndësishme për mua është të luaj, nuk ka rëndësi se në cfarë pozicioni. Dua të ndihmoj kombëtaren me paraqitjet e mia në fushë. De Biasi beson tek unë sepse më njeh që nga periudha që kam qenë pjesë e Manchester City-it. Te Empoli unë luaj mbrojtës i majtë, por roli im natyral është ai i qëndërmbrojtësit edhe pse mund të luaj edhe në të majtë apo si mesfushor parambrojtjes, dhe fakti që përshtatem në shumë role është një bonus për mua.”

Me tërheqjen e kapitenit  Lorik Cana, kombëtares shqiptare i mungon një lider i vërtetë në fushë. Veseli edhe pse e di që do të jetë vështirë shpreson që të ndjekë sadopak gjurmët e Canës, të cilin e konsideron edhe si një legjendë të kuqezinjëve.

“Cana është një legjendë e kombëtares ai ka bërë shumë për këtë skuadër dhe unë shpresoj pse jo t’i ngjaj sadopak. Unë kam statusin tim dhe shpresoj të jap më të mirën si Veseli por t’i afrohem sadopak Canës do ishte dicka me të vërtetë pozitive. Na mungon pak sepse Loriku mbetet Loriku por që po mundohemi të bëjmë punën tonë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat