Oksigjen për Flamurtarin, tani shikohet me optimizëm

Futboll

Oksigjen për Flamurtarin, tani shikohet me optimizëm

Më: 17 prill 2017 Në ora: 15:17
Flamurtari

Një fitore në momentin e duhur që mund të kthejë fatet e një sezoni. Ai sukses i vështirë mes polemikave në Gjirokastër, i shërbeu si oksigjen Flamurtarit që tashmë shikon me optimizëm nga 7 sfidat e mbetura të këtij kampionati. Vlonjatët e Shpëtim Duros kishin nevojë më shumë se kurrë për një fitore të tillë në transfertë dhe mbi të gjitha ndaj një skuadre si Luftëtari që ka bërë mirë në këtë sezon dhe që në stadiumin e saj nuk kishte humbur asnjë ndeshje. Sa shumë vuajte për të marrë atë 3 pikësh. Flamurtari në fakt stonoi në mbrojtje por në sulm shfaqi grintë dhe dëshirë. Me një Donjet Shkodra që është kthyer në formën e tij optimale kuqezinjtë mund ta përballojnë me më pak stres fundin e kampionatit, edhe pse klasifikimi i dënon ende. Nëse nuk do ti ishin hequr ato 6 pikë nga komisioni i Disiplinës, sot Flamurtari do të kishte 34 pikë nga 28 dhe do të pozicionohej në vendin e 6-t të klasfikimit duke lënë pas në skuadra të tilla si Tirana, Teuta, Laci e Korabi. Megjithatë vlonjatët aktualisht janë në zonën e rënies nga kategoria dhe për të shpëtuar këtë sezon të dështuar kanë nevojë për të tjera paraqitje si ajo ndaj bluzinjëve.

Kalendari i 3 javëve të ardhshme e favorizon disi skuadrën e Duros që luan 2 ndeshje brenda dhe 1 jashtë dhe asnjë prej këtyre sfidave nuk e ka ndaj ekipeve që luftojnë për kreun. Për tiu larguar sa më shumë fundit dhe për të parakaluar Lacin në renditje, kuqezinjtë duhet të fitojnë me cdo kusht ndaj Vllaznisë në Vlorë këtë fundjavë. Misioni nuk do të jetë i lehtë sepse përballë do të jetë skuadra që ka ndalur në 2 barazime, Kukësin e Partizanin në dy javët e fundit. Për më tepër që Vllaznia mban vendin e 4-t në renditje dhe kuqeblutë janë ekipi që i kanë hapur më shumë punë Flamurtarit në këtë sezon duke i marrë 9 pikë në 3 ndeshje. Menjëherë pas sfidës ndaj shkodranëve Flamurtari do të udhëtojë drejt Durrësit për të sfiduar Teutën ndërsa më pas do të presë Tiranën në shtëpi. 3 takime që vlejnë sa një sezon i tërë, nëse në këto 3 ndeshje vlonjatët marrin minimalisht 6 pikë, mbijetesa do të jetë një mision më i lehtë për ta duke parë edhe kalendarin shumë të vështirë që kanë Laci e Tirana në 3 javët e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat