Ky është formacioni i Shkëndijës që luajti kundër Sileksit

Futboll

Ky është formacioni i Shkëndijës që luajti kundër Sileksit

Më: 24 prill 2017 Në ora: 12:20
Shkëndija feston barazimin

Shkëndija nga Tetova ka barazuar 1:1 me Sileksin në Kratovë në takimin e xhiros së 28-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Pas pjesës së parë pa gola, vendasit avansuan në start të pjesës së dytë, ndërsa përgjigjet me super gol Junior për barazim dhe ndarje të pikëve. Kansoja e parë ishte për vendasit kur pas një gabimi të Pollozhanit në minutën e 22-të Panovski del i vetmuar, mirëpo pasi i’u afrua portës goditi lartë mbi traversë.

Dy minuta më vonë tjetër mundësi për vendasit, kur Nedelkoviq u gjet i vetmuar para portës, mirëpo në rol të shpëtimtarit tani shfaqet Pollozhani që shmang gol të sigurtë në vijën e portës. Shkëndija qetësoi lojën dhe ngadalë kërkonte rastin e saj, ndërsa në minutën e 34-t Ibraimi depërton bukur dhe ndalet në hyrje të zonës, mirëpo arbitri vlerëson se nuk kishte faul. Një minutë më vonë Junior pason në zonë për Zejnullain, mirëpo e majta e tij kontrollohet nga portieri Mitroviq. Me të filluar pjesa me dytë vendasit zhvillojnë aksion të shpejtë, ndërsa Filipovski me goditje precize shënon për epërsi 1:0 të Sileksit. Vendasit ende pa i’u gëzuar mirë golit të avantazhit në anën tjetër me super gol përgjigjet Junior që lëshon një predhë për barazim 1:1.

Shkëndija hyri në ritëm dhe për disa minuta solli mundësi të mira për të avansuar. Fillimisht Ibraimi vonohet në goditje dhe vendasit pastrojnë, ndërsa në minutën 57-të Junior asiston për Todorovskin, i cili kalon bukur mbrojtësin kundërshtar dhe kur të gjithë panë topin në rrjetë, goditja shkon skaj portës. Në anën tjetër Zahov shfaqet me pritje vendimtare, kur ndal tentimin e Nedelkoviqit. Portieri i Shkëndijës sjell tjetër intervenim bravuroz në minutën e 68-të kur për mrekulli pret një goditje të fortë dënimi. Shkëndija kërkoi në vazhdim të gjejë golin e fitores, ndërsa kansojen më serioze e kishte Medjedoviç në minutën e 90-të, mirëpo pa gjetur portën. Në fund skuadrat duhej të pajtohen me ndarje të pikëve.

Sileksi-Shkëndija 1:1 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Kratovë
Shikues: 300
Arbitër: Aleksandar Stavrev
Arbitra anësorë: Marjan Kirovski dhe Dejan Kostadinov
Arbitra shtesë: Nikolla Kostençev dhe Bobi Veliçkov
Delegat: Dragan Bllazhovski
Golashënues: Filipovski 46’ (Sileksi), ndërsa Junior 47’ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Filipoviq, Gucev, Panovski  (Sileksi), Vujçiç, Cuculi, Pollozhani (Shkëndija)
Sileksi: Mitroviq, Filipovski, Gucev, Filipoviq, Tanushev, F. Gligorov, G. Gligorov (Stojçevski 70’), Panovski, Kalanoski (Kastratoviq 86’), Mickov (Dodev 53’), Nedelkoviç.
Trajner: Zhikica Tasevski.
Shkëndija: Zahov, Alimi (Medjedoviç 84’), Cuculi, Ibraimi, Çelikoviç, Zejnullai (Totre 70’), Junior (Radeski 63’), Pollozhani, Todorovski, Vujçiç, Abdurahimi.
Trajner: Tomas Brdari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat