FFK, tregoja vendin Cërvena Zvezdës!

Futboll

FFK, tregoja vendin Cërvena Zvezdës!

Nga: Kemajl Goca Më: 27 prill 2017 Në ora: 12:16
Ilustrim

Nuk mund të durojmë dhe as që duhet të durojmë që sa herë të dojë të vijë një klub nga Serbia, siç është Cërvena Zvezda e Beogradit dhe të luajë ndeshje miqësore apo bamirësie me Graçanicën, pa e marrë lejen e institucioneve përkatëse, pra të Federatës së Futbollit të Kosovës. Zvezda duhet ta dinë një herë e përgjithmonë se nuk mund të futet pa leje në shtetin e Republikës së Kosovës, ose të vijnë me logjikën se po luajnë siç e quajnë ata Kosovo i Metohija.  Të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e veprojnë e njohin se kush është Cërvena Zvezda, të paktën ato gjeneratat e vjetra.  Zvezda mund të vijë në Kosovë vetëm me lejen e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe në asnjë mënyrë tjetër. Federata e Futbollit e Kosovës duhet ta çojë kokën dhe t’ia tregojë vendin klubit të Cërvena Zvezdës!

FFK-ja ka fat të madh që ka sekretar të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu. Pse është fat i madh? Salihu është shënuesi i parë i Kampionatit të Republikës së Kosovës ose ka qenë i pari prej futbollistëve të Prishtinës që e kishte refuzuar Serbinë në kohën e masave të dhunshme, dhe ky njeri besojnë të gjithë, se kësaj radhe do të reagojë fuqishëm dhe të kërkojë edhe nga mekanizmat ndërkombëtar të futbollit, që t’i ngehet veshi Zvezdës.  Salihu me zyrtarët e lartë të FFK-së, kësaj here duhet të reagojnë shumë ashpër përkatësisht të kërkojnë që me të gjitha mjetet e mundshme institucionale t’i ndalohet hyrja ilegale e Zvezdës në Graçanicë. Një herë e përgjithmonë t’i tregohet Zvezdës se Kosova ka Zot shtëpie dhe pa leje nuk mund të futet në territorin tonë. 

Dikush thotë se, nuk mund ta ndalojmë? Finalja e Kupës së Serbisë në hendboll u ndalua para disa vjetësh në territorin e Republikës së Kosovës, këtë mund të bëjë edhe FFK, dhe besojmë se këtë do ta realizojë fuqishëm, sepse ka fuqinë e plotë, janë të pranuar në UEFA e FIFA dhe fjala e tyre tani çon peshë të madhe. 23 maj nuk është larg dhe tani është koha të merren masat, jo të presim ditën e fundit. Është diçka tjetër nëse klubi nga Serbia kërkon leje dhe ashtu si e do rendi e rregulli, atëherë FFK vendos se mund të hyjë apo jo Zvezda në shtetin e Kosovës. Por në rast se nuk përfillen institucionet përkatësisht FFK, vijnë e luajnë në Graçanicë, është shkelje e sovranitetit tonë dhe fundja, skandal i madh! Të shohim, se si do të rrjedhin gjërat në ditët në vazhdim!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat