Lopët në stadium

Futboll

Lopët në stadium

Nga: Kemajl Goca Më: 23 maj 2017 Në ora: 10:10
Genc Sermaxhaj

Ka vite që flitet për infrastrukturën jo të mirë nëpër stadiumet tona. Në disa stadiume ka rrethoja të mira, por në disa prej tyre nuk janë në nivelin e duhur dhe madje ka raste kur shihen edhe kafshët duke u kullotur përreth fushës, duke i dhënë një shëmti lojës së futbollit. Rasti i fundit ka qenë në stadiumin ‘Agron Rama” në Kastriot, në ndeshjen derbi ndërmjet dy skuadrave me renome, Prishtina-Trepça ’89, e cila u zhvilluar të shtunën që e lamë pas.

Ish-futbollisti i mirënjohur, Genc Sermaxhaj, është i habitur me gjendjen e infrastrukturës që mbretëron në disa stadiume. Ai e ka komentuar edhe rastin e fundit ku shihen lopët në stadium. “Pa dyshim që është një shëmti. Këto gjëra jemi mësuar t’i shohim edhe në të kaluarën rreth stadiumeve, madje nganjëherë edhe janë futur në fushë disa prej kafshëve të ndryshme dhe është dashur që ndeshja të ndërpritet për t’i larguar nga fusha”, thotë Sermaxhaj për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Ai më tutje thotë se nuk është mirë të kemi kësi gjëra në stadiume.

“Mendoj se këto gjëra nuk duhet t’i shfaqim në media ngase nuk i japin imazh të mirë futbollit tonë. Ne nuk kemi infrastrukturë të mirë dhe kjo është arsyeja pse shihen këto kafshë nëpër ndeshje të tilla. Gjithashtu ata që merren me organizimin e ndeshjeve nuk duhet të lejojnë që afër stadiumeve tona të sillen kafshët, ato mund të rrezikojnë edhe tifozët që janë duke parë ndeshjen”, ka thënë ai. Sa mund ta dekoncentrojnë një futbollist këto gjëra që shihen në stadium, pra si lopët? “Mund ta dekoncentroj nëse futet brenda fushës, por është edhe demotivuese pak kur sheh jashtë kafshë të tilla në vend të tifozëve”, ka thënë Sermaxhaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat