Latifi, në “Zeqir Ymeri” ndeshja e fundit

Futboll

Latifi, në “Zeqir Ymeri” ndeshja e fundit

Më: 23 maj 2017 Në ora: 13:06
Latifi

Kukësi-Skënderbeu do të mbahet mend si ndeshja që përcaktoi titullin e kampionatit të 78 kombëtar, si ndeshja e Enea Jorgjit apo për atë karton të grisur nga Hamdi Salihi, por njëkohësisht me shumë mundësi ajo do të jetë edhe ndeshja e fundit në kampionatin tonë e një prej talenteve më të mëdha që ka parë Kategoria Superiore në vitet e fundit. Liridon Latifi e ka lënë fushën e Zeqir Ymerit i mërzitur e i irrituar për mënyrën se si shkuan gjërat, dhe ndoshta vetëm më pas e ka kuptuar se ai karton i verdhë për simulim i dhënë nga Enea Jorgji ka mbyllur te ai takim aventurën e tij në kampionatin shqiptar, ku zbarkoi nga Prishtina në janarin e 2015 për t’u evidentuar si një nga lojtarët më me klas të kompeticionit.

Me atë karton ka mbushur numrin e 3 të verdhave dhe nuk do të mund të jetë në javën e fundit përballë Partizanit. Sirenat e merkatos ndërkohë kanë rënë fort prej kohësh dhe vështirë se Latifi do të rezistojë edhe sezonin e ardhshëm te Skënderbeu me një aventurë europiane që e pret, edhe për kënaqësinë e korcarëve që pritet të mbushin arkat e tij me një tjetër transferim stratosferik. 11 gola të shënuar në këtë sezon të Superioes, por mbi të gjitha intuitë, teknikë e jashtëzakonshme dhe shumë klas , e kanë bërë prishtinaliun objekt dëshirash për klube të rëndësishme në Europë. Para pak javësh drejtuesit e Skënderbeut kanë patur një takim me belgët e Gent, për të diskutuar detajet e një transferimi të mundshëm që do të conte në arkat e Skënderbeut bukurinë e 1.2 milionë Eurove, por ndërkohë nuk përjashtohen as pista të tjera, pasi një destinacion i mundshëm për 23 vjecarin mund të jetë edhe një ndër klubet më të mëdha të Ballkanit, Dinamo e Zagrebit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat