Trepça ’89 debutoi me humbje në Champions League

Futboll

Trepça ’89 debutoi me humbje në Champions League

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 27 qershor 2017 Në ora: 20:35
Foto nga ndeshja Vikinguri-Trepça ’89,

(E plotësuar) - Kampioni i Kosovës, Trepça ‘89 nga Mitrovica, me gjithë lojën e mirë, debutoi me humbje në Champions League në futboll. Mitrovicasit pësuan humbje  në udhëtim me rezultat 2:1 nga kampioni i Ishujt Faroe, Vikingur, në ndeshjen e parë parakualifikuese për Champions League, e cila u zhvillua në stadiumin Torsvollur. Në fakt, 17 minutat e fundit i ndanë mitrovicasit nga rezultati pozitiv, edhe pse kishin mundësi të barazojnë, por të pafat. Megjithatë, kjo humbje minimale asessi nuk i shqetëson djelmoshat e trajnerit Zekirja Ramadani, pasi që shpresojnë në sfidën e kthimit ta përmbysin këtë rezultat dhe të kualifikohen më tutje. Në minutën e 39-të, Fiton Hajdari hyri në histori, duke e shënuar golin e parë në Champions League, si futbollist i një skuadre nga Kosova.  Ai për bukuri zotëron një top jashtë 16-shit, i cili nga rreth 17 metra me një goditje sa mjeshtërore aq edhe të fortë e fërfëlloi topin në këndin e majtë të epërm dhe mu në qoshe të portierit vendas, Rasmussen. Ndeshja ka qenë mjaft dinamike dhe me disa raste shënimi. 

Në minutën e 17-të, Gunnar Vatnhamar realizoi për vendasit, por assesi epërsia e hershme e tyre nuk e demoralizoi kampionin e Kosovës. Gjashtë minuta pa përfunduar pjesa e parë, Hajdari me mençuri, me një goditje të jashtëzakonshme e heshti skuadrën mikpritëse. Në pjesën e dytë, të dyja ekipet luftuan me mish e më shpirt për të arritur deri te fitorja, por vendasit u dëshmuan me të suksesshëm madje shënuan në saje të një gabimit në mbrojtjen mitrovicase. Në minutën e 73-të, Gunnar Vatnhamar  me vetëmohoim të pashoq harkon në drejtim të zonës së Trepçës ’89 dhe Adeshina Lawal gjendet më së miri i cili nga afërsia fërfëlloi topin në rrjetë, 2:1. Në 17 minutat e fundit u zhvillua lojë mjaft e mirë, por kampioni i Kosovës me gjithë orvatjet nuk arriti ta barazoi rezultatin, megjithëse në fund të sfidës tërthorësja ia mohoi golin. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet me 4 korrik në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ku mitrovicasit kanë rast ideal që të kualifikohen në rrethin e parë kualifikues të Champions League. Mitrovicasve i mjafton fitorja 1:0 që të shkojnë më tutje.

Vikingur – Trepça ’89 2:1

Stadiumi Torsvollur.

Gjyqtar: J. Frischer (Estonia).

Shënues: Vatnhamar (17’), Lawal  (73’) - Hajdari (39’).

Kartonat e verdhë: Gjorgjeviq -  Maloku.

Vikingur: Rasmussen, G. Hansen, Jacobsen, Gregersen, Jacobsen, Gjorgjeviq, Anghel (H. Hansen 83’), Benjaminsen, Vatnhamar, Vatnhamar (Olsen 90+3’) dhe Lawal.

Trepça: Manxholli, Islami, Lladrovci (Maloku 38’), Izmaku, Potoku, Mustafa, Broja, Idrizi (Lushtaku 78’), Hasani, Hajdari dhe John (Chibuze 60’).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat