Skënderbeu merr një barazim me vlerën e fitores

Futboll

Skënderbeu merr një barazim me vlerën e fitores

Më: 13 korrik 2017 Në ora: 18:38
Skënderbeu

Skënderbeu nga Korça ka marrë një rezultat shumë pozitiv në ndeshjen e parë të luajtur në Kazakistan kundër skuadrës së Kairat Almaty, takim i vlefshëm për raundin e dytë paraeliminator të Europa League. Skuadra e Ilir Dajës, në fakt, është larguar nga “Almaty Ortalyk Stadion” me një barazim 1:1 që ka vlerën e fitores për shkak të golit të realizuar në fushën kundërshtare. Falë këtij barazimi, korçarët do të kenë në dispozicion dy rezultate në ndeshjen e kthimit. Ata do të kualifikoheshin në raundin pasardhës edhe me një barazim pa gola, raporton telesport.

Ndeshja ka filluar në mënyrën më të keqe të mundshme për skuadrën e Ilir Dajës, e cila ka pësuar gol vetëm nëntë minuta pas fillimit të ndeshjes. Një aksion i gjatë dhe i bukur i ekipit vendas është finalizuar në mënyrën e duhur nga Gerard Gohu, i cili ka dërguar topin në rrjetë me një goditje me të majtën nga brenda zonës së rreptësisë, ndaj së cilës portieri Shehi nuk mund të bënte asgjë.

Skuadra korçare, e tronditur nga ky gol i shpejtë, e ka marrë veten në minutat në vazhdim duke mbizotëruar në mbajtjen e topit dhe duke krijuar disa raste për shënim. Ky ritëm loje ka vazhduar edhe në pjesën e dytë dhe ka dhënë rezultate pozitive për Skënderbeun në minutën e 72-të, kur Nimaga ka finalizuar aksionin e bukur të miqve të nisur nga krahu i djathtë. Portieri Pokatilov ka arritur të devijojë goditjen e parë të Latifit, por nuk ka mundur të bëjë dot asgjë ndaj gjuajtjes së Nimagas, i cili ka qenë një metër larg portës. Rezultati ka mbetur i pandryshuar deri në fund. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet 20 korrikun e ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat