Frikë nga spiunët

Futboll

Frikë nga spiunët

Më: 2 gusht 2017 Në ora: 14:01
Skenderbeu

"Frikë” nga spiunët, Ilir Daja urdhëron mby lljen e dyerve të stadiumit dhe zhvillon seancën e radhës në një qetësi të plotë. Dje në orën 18:00, të gjithë futbollistët dhe stafi teknik janë paraqitur në ambientet e stadiumit, teksa shkallët e stadiumit kanë qenë të boshatisura.

Në pistë, për të ruajtur mospraninë e tifozëve, kanë qenë prezentë edhe uniformat blu, që nuk kanë lejuar askënd të afrohet pranë stadiumit.

Daja ka kërkuar të punojë i qetë të martën, për shkak se ka praktikuar disa skema loje dhe ndoshta i është ruajtur ndonjë “spiuni” të mundshëm që mund të ishte prezent në këtë seancë. Në fakt, ka pasur pakënaqësi nga tifozët, që u detyruan ta shikonin stërvitjen nga kangjellat e stadiumit, në një kohë që interesi ishte i madh.

Mbrojtësi i Skënderbeut, Bajram Jashanica ia del për të qenë nesër në fushë. Të martën ai ka zhvilluar të plotë seancën stërvitore, duke qetësuar trajnerin Ilir Daja. Pas dëmtimit në kavilje, të pësuar në pjesën e parë të takimit ndaj Mladës në Çeki, stafi teknik mendoi se bëhej fjalë për diçka serioze.

Dje në fillim të seancës, Jashanica është konsultuar me mjekun dhe trajnerin Daja, duke dhënë dakordësinë e tij për të qenë prezent në dy seancat e fundit. Ajo që është më e rëndësishme, mbrojtësi do të jetë në fushë nga minuta e parë kundër Mladës. Ky është një lajm i mirë për Dajën.

Jashanica do të rikthehet në qendër të mbrojtjes, duke formuar dyshen me Marko Radasin, ndërsa Vangjeli dhe Mici do të jenë në krahët e repatit difensiv. Prapavija do të kompletohet me Shehin në mes të shtyllave. Në mesin e fushës si digë është Osmani, ndërsa para tij Lilaj i rikthyer nga pezullimi dhe Nimaga do të jenë gjithashtu në qendër të mesfushës.

Në krah të majtë Latifi është i sigurt, ndërsa në të djathtë Gavazaj ka fituar duelin me Takun dhe do ta nisë nga minuta e parë. Me këtë lëvizje, dukshëm Daja kërkon më shumë forcë sulmuese për të shënuar golin e kualifikimit.

E vetmja dilemë për sa i përket formacionit është maja e sulmit. Xhejms tashmë është rikuperuar plotësisht, ndërsa Plaku gjatë gjithë javës është provuar si titullar. Vetëm dje Daja ka ndryshuar ide, duke mbajtur pjesën më të madhe Xhejmsin në anën e titullarëve.

Verdikti do të jepet sot, kur skuadra do të krye seancën përmbyllëse në “Elbasan Arena”. Në stërvitjen e djeshme trajneri ka kërkuar shpesh pasime të shpejta nga ekipi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat