Prishtina më e mirë se Vllaznia

Futboll

Prishtina më e mirë se Vllaznia

Më: 14 gusht 2017 Në ora: 11:14
Liridon Fetahaj

Prishtina ka zhvilluar ndeshjen e fundit përgatitore para fillimit të kampionatit. Anëtari i ri i Superligës, Vllaznia nga Pozherani u mposhtë 2:0.

Pamë Prishtinë agile, këmbëngulëse dhe me shumë shanse të krijuara.

Megjithatë, bardhekaltrit edhe patën mungesa, si Khalid, Pefqeli e Bashiru.

Mysafirët rrezikuan vetëm njëherë edhe atë në pjesën e dytë nga e djathta, por që portieri Muqiqi e dëboi në këndore.

Ndërsa, rastet e Prishtinës, pas iniciativës së plotë nga fillimi i ndeshjes, filluan nga minuta e 19-të, kur Mazrekaj e harkoi këndoren, kurse nga e “dyta” Dallku gjuajti me kokë, por që priti portieri mysafir.

Në minutën e 31-të, Mazrekaj udhëhoqi kontra nga e majta, ndërsa Mankenda brenda zonës nga e majta e shërben Bozhoviç, që gjuajtjen e parë iu bllokua, ndërsa e dyta përfundoi shumë pak mbi tra. Minuta e 34-të solli golin. Mysafirët ngritën shumë lartën mbrojtjen e këtë më së miri e shfrytëzoi Mazrekaj i cili nga e majta depërtoi nga qendra dhe me top të gjatë e shërben prapa shpinës së mysafirëve Maxhuni i cili sëbashku me Mankendën e Fetahajn ishin të vetëm me portier, ndërsa pasimi i saktë i mbrojtësit të djathtë për Fetahajn u shndërrua në gol nga ky i fundit.

Pesë minuta me vonë, këndoren e harkuar nga Boshnjaku, Mankenda me kokë e qëllon pingulen e djathtë e topi shkon fare pranë pingules tjetër.

Edhe në minutën e 41 aksion i shpejtë, Mankenda me thembër ia kthen Fetahajt e ky ia vazhdon djathtë Maxhunit që pason në shtyllën e parë për Mankendën gjuajtja e të cilit fluturoi fare pran kuadratit.

Në pjesën e dytë u inkuadrua edhe Anel Rashkaj për cilësitë e tij s’kemi çfarë të themi më shumë, të gjithë i din.

Në minutën e 56, Osmani vjedh top në mesfushë e pason djathtë për Fetahajn që pastaj me top të gjatë e gjen sërish Osmanin i vetëm me portier, por nuk u gjend mirë.

Një minutë më vonë, sërish Fetahaj, tani e gjen Bozhoviç brenda zonës që gjuan rreptë, por pret portieri i mysafirëve i inkuadruar në pjesë të dytë.

65’ Mazrekaj depërton në stilin e tij nga e majta e drejt qendrës, pastaj pason gjuajtja e furishme, por pak mbi tra.

Një minutë më vonë Hoxha ishte në pozitë ideale nga gjysmëedjathta brenda zonës, por gjuajti plogësht. Por, Hoxhaj në minutën e 68-të nga e djathta bukur për toke e shërbeu Mazrekajn i cili nga pozitë qendrore me saktësi dërgon topin afër pingules së djathtë e drejt në rrjetë.

Duhet theksuar se pesë minuta para se të mbyllet ndeshja, gjyqtari kryesor ndëshkon dy futbollistë mysafir me karton të kuq, e këta përkundrazi nuk pranuan vendimin dhe përpak sa nuk u shkaktua rrëmujë më e madhe që për fat u mbyll pa ndonjë telashe më shumë përveç fyerjeve të shumta drejtuar gjyqtarëve.

Bardhekaltrit me këtë ndeshje kanë mbyllur ndeshjet përgatitore, ndërsa për vendin dhe kohën e zhvillimit të ndeshjes së javës së parë me Dritën iu njoftojmë me kohë, raporton FC Prishtina.

Prishtina - Vllaznia (P) 2:0 (1:0)

Golat: Liridon Fetahaj 34’, Mentor Mazrekaj 68’

Prishtina (4-3-3): Visar Bekaj (Alban Muqiqi - 46’) - Lorik Maxhuni (Përparim Osmani - 54’), Armend Dallku, Debatik Curri (Agon Xhaka - 73’), Gentrit Dumani - Diar Miftaraj (Kastriot Selmani - 73’), Lorik Boshnjaku (Anel Rashkaj - 46’), Drashko Bozhoviç (Ergyn Ahmeti - 64’) - Liridon Fetahaj (Arbër Hoxha - 65’), Mentor Mazrekaj (Bleon Sekiraqa - 73’), Gauthier Mankenda (Ahmed Januzi - 54’). Kryetrajner: Arsim Thaqi.

Vllaznia: Jasir Bajrami - Rron Statovci, Betim Syla, Erdin Hashani, Alban Tusuni, Elbasan Thaqi, Fuad Karabeg, Alban Rexhepi, Arbër Basha, Maliq Behluli, Shkëmbim Salihu. Në pjesën e dytë luajtën edhe futbollistë tjerë. Kryetrajner: Bekim Isufi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat