Hasani: Jemi në një situatë të keqe!

Futboll

Hasani: Jemi në një situatë të keqe!

Nga: Kemajl Goca Më: 15 shtator 2017 Në ora: 18:46
Fidan Hasani

Në katër ndeshjet e para ka vetëm një barazim dhe të gjitha disfata, por kjo nuk e shqetëson klubin me renome Flamurtarin e Prishtinës. Klubi kuqezi beson e shpreson se shumë shpejt do të shënojë fitoren e parë dhe gradualisht të ikin nga vendi i fundit në renditje.

Pas gjashtë vjetësh flamurtarët janë rikthyer në elitën e futbollit të Kosovës, por fatkeqësisht katër javët e para nuk ishin të bereqetshme, për faktin se kishin edhe një orar shumë të vështirë. Ata në javën e parë u mposhtën me 3:1 nga kampioni në fuqi, Trepça ’89, në takimin që u zhvillua në ‘Riza Lushta’, kur si vendas u mundën me 2:0 nga rivali më i madh i kryeqytetit, Prishtina, ndërsa pikën e  parë e fituan në Gjilan duke luajtur baras (0:0) me Dritën dhe së fundi pësuan disfatë me 2:0 nga Besa, në sfidën e luajtur në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë.

Në javën e pestë, Flamurtari do të takohet me rivalin e vjetër, Lirinë, por presin fitoren e parë. Kapiteni i skuadrës kuqezi, Fidan Hasani, është optimistë se fitorja e parë po troketë dhe premton se do të jenë gjithnjë e më të mirë me rezultate. Ai për gazetën kombëtare “Bota sot”, ka deklaruar se edhe orari i ndeshjeve ka qenë i pafavorshëm në katërt javët e para, sepse përveç që tri ndeshjet i luajtën në udhëtim, edhe rivalët ishin jashtëzakonisht të fortë.

“Bota sot”: Në katër ndeshjet e para, Flamurtari ka fituar një pikë, a mendoni se fati nuk e përcolli ekipin?

Fidan Hasani: E dimë se jemi në një situatë të keqe, por jemi të vendosur se do të ia dalim. Prej katër javëve kishim kundërshtarët më të fortë të mundshëm dhe kishim tri ndeshje jashtë shtëpisë, sigurisht se edhe kjo ka ndikuar. Megjithatë nuk ka vend për shqetësim, ngase kampionati është i gjatë.

 

“Bota sot”: A mendoni se edhe orari ka qenë i pafavorshëm, tri ndeshje jashtë?

Fidan Hasani: Pa dyshim, orar shumë i vështirë...

“Bota sot”: Në fundjavë kundër Lirisë, derbi i rivalëve të vjetër, a shpresoni në fitoren e parë?

Fidan Hasani: Nuk kemi rrugë tjetër veç se tri pikët të mbesin në fushën tonë. Jemi të mobilizuar maksimalisht dhe kërkojmë tri pikë, natyrisht jo me çdo kusht, vetëm me lojë të mirë e të pastër.

 “Bota sot”: Çfarë i mungon me shumë Flamurtarit?

Fidan Hasani: Me trajnerin Agron Selmanin besojmë se do të arrijmë ato objektivat që kemi para vetes dhe këtë javë jemi të kompletuar, nuk kemi mungesa. Shpresojmë të fitojmë kundër Lirisë, t’ia sjellim gëzimin e parë tifozëve tanë. Flamurtari njihet për lojën agresive, angazhim të madh, lojë me zemër dhe këto ndeshje mendoj se na ka munguar vetëbesimi.

 “Bota sot”: A jeni ne presion të rezultateve?

Fidan Hasani: Nuk kisha me thënë se jemi në presion, sepse nuk kemi qëllim të arrijmë vendet që sigurojnë Evropën. Jemi duke ndërtuar një skuadër të qëndrueshme, për një vazhdim më të mirë të kampionatit.

 “Bota sot”: Ku e sheh Flamurtarin në vazhdim të kampionatit?

Fidan Hasani: Shpresojmë ta marrim veten sa më shpejt e të fitojmë pikët e para, pastaj Flamurtari do ta tregoj fytyrën e vërtet. 

“Bota sot”: Ju si kapiten, çfarë premtoni?

Fidan Hasani: Çdo gjë që të na sigurojë fitoren e parë në Superligë. Presim mbështetje të madhe të “Armatës Kuq e Zi”, të cilët janë tifozët më të mirë në elitë dhe i vlerësoi me notën 10-të. Ata janë shpirti i skuadrës tonë dhe që na japin fuqi në çdo ndeshje. Flamurtari ka traditë dhe së shpejti do të jetë në nivelin e rezultateve që e dëshirojnë të gjithë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat