Kosova shpreson në tri pikë kundër Malit të Zi

Futboll

Kosova shpreson në tri pikë kundër Malit të Zi

Më: 17 shtator 2017 Në ora: 16:11
Pamje nga një stërvitje

Kombëtarja e Kosovës U-19 në futboll (femrat) mbajti seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Malin e Zi që do të zhvillohet nesër në orën 12.00 në stadiumin “PPC” në Homberg. Pas dy ndeshjeve të mira me gjithë humbjet, futbollistet e Kosovës në këtë stërvitje u fokusuan në mbrojtje por edhe në sulme eventuale në mënyrë që në ndeshjen me malazezet të dalin fitimtare. Kështu u shpreh edhe entuziazmi në deklaratat e tyre. Kushtrim Munishi, përzgjedhës, ka thënë: “Ne patëm dy paraqitje të mira, ndonëse i humbëm por angazhimi dhe vullneti i futbollisteve dhe puna me përkushtim në stërvitje na kurajon për një rezultat pozitiv, ndonëse në futboll asnjëherë nuk i dihet deri në fund. Kemi punuar në përmirësimin e atyre dobësive që na u shfaqën gjatë dy ndeshjeve të kaluar dhe unë besoj në vajzat tona që nesër do ta japin maksimumin”. Valentinë Tërnava, futbolliste është optimiste: “Pas dy paraqitjeve të mira edhe pse humbëm mendoj se kemi nxjerrë mjaft mësime në mënyrë që me Malin e Zi më në fund të fitojmë”. Afërditë Mushica, futbolliste, ka thënë se do të japin maksimumin:

“Mendoj se atmosfera që mbretëron brenda ekipit dhe dëshira për fitore do të jap rezultate pozitive në ndeshjen e nesërme. Do të japim gjithçka nga vetvetja që ta fitojmë këtë ballafaqim”. Mejreme Bunjaku, futbolliste, tha se në dy takimet e para u ballafaquan me ekipe të forta. “Në dy ndeshjet e para patëm fatin që të takohemi me dy ekipe shumë të forta dhe cilësore. Ndërsa, pa dashur që të zvogëlojë gjasat e Malit të Zi, mendoj se malazezet nuk e kanë cilësinë as të gjermaneve e as të islandezeve, ndaj shpresoj në fitore”, tha Bunjaku. Rina Arifi, futbollliste, beson se do të arrijnë pikët e para: “Me gjithë humbjen në dy ndeshjet e para, ekipi jonë u paraqitë mirë përballë dy skuadrave që bartin bagazh të madh dhe përvojë të madhe si dhe përgatitje më të mirë fizike. E në ndeshjen e tretë kundër Malit të Zi, jemi përgatitur që të arrijmë sukses, sepse as malazezet nuk u treguan cilësore në ballafaqimet e tyre, gjë që tregojnë edhe humbjet e thella të tyre”. Kosova U-19 është në grupin 1 në kualifikimet për Evropian,e  cila në dy takimet e para pësuar humbje, 3:0 nga Gjermania U-19 dhe 2:0 nga Islanda U-19.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat