Reali përballet me Dortmundin e papërshtatshëm

Futboll

Reali përballet me Dortmundin e papërshtatshëm

Nga: Kemajl Goca Më: 26 shtator 2017 Në ora: 10:30
Pamje nga një ndeshje

Ndeshja më interesante do të zhvillohet në grupin H të Champions League në futboll, në mes liderit gjerman Dortmundit dhe kampionit në fuqi të Evropës, Real Madridit. Dormundi është në formë të jashtëzakonshme dhe treguesi më i mirë është se për gjashtë ndeshje ka pesë fitore e një barazim në  Bundesliga I, ndryshe Reali nuk është duke kaluar në formën më të mirë, më së miri e faktojnë rezultatet në Spanjë, ka tri fitore, dy barazime e një humbje, duke u renditur në vend të pestë me 11 pikë. Veçoria tjetër të Dortmundi pa dyshim është se për gjashtë ndeshje realizuan 19 gola e kanë pësuar vetëm një, duke konfirmuar se sulmi është në pikën me të lartë, ndërsa mbrojtja gjithnjë e më e fuqishme. Pavarësisht rezultateve në Gjermani, në Champions do të jetë më ndryshe, për faktin se ndeshen me gjigantin botëror. Fakti tjetër është se Dortmundi nga viti 1998 nuk ka humbur në fushë të saj nga Reali. Verdhezinjtë kanë fituar ose kanë barazuar me Realin, assesi nuk kanë pësuar humbje në konak të tyre, kjo dëshmon se sa do të jetë terreni i nxehtë në “Signal Iduna Park”. Bastet e ndryshme Realin e parashikojnë favoritë.

“Bet365” për fitoren e Dortmundit e ka koeficientin 3.00, për barazim 3.90 dhe për fitoren e Realit 2.30. “Expekt” për fitoren e Dortmundit 2.85, për barazim 3.70 dhe për triumfin e Realit 2.25. “Bwin” ka favorizuar Realin për fitore me 2.25, për barazim 3.80 dhe për fitoren e verdhezinjve me 2.95. Megjithatë, koeficientet janë koeficiente dhe gjithçka do të shihet sonte (20.45) në fushën e lojës. Gjatë kohës së tij si trajner i Real Madridit, Zinedine Zidane ka krijuar idenë se është mjeshtër i rotacioneve, por kur vjen puna te ndeshjet e mëdha ai rrallë shmanget nga 11-shi i tij më i mirë. Portierit Keylor Navas do t’i besohen dorëzat, ashtu siç ndodh gjithmonë në ndeshje serioze. Në mbrojtje gjithashtu nuk pritet të ketë befasi. Dani Carvajal, Raphael Varane, Sergio Ramos dhe Nacho janë alternativat më të mira, duke marrë parasysh se Marcelo është i dëmtuar. Zidane, siç shkruan gazeta “Marca”, ka menduar të luajë me katër mesfushorë në formë rombi, Casemiro, Luka Modriç, Isco dhe Toni Kroos. Më përpara do të vendosen Gareth Bale dhe Cristiano Ronaldo, të cilët do të përpiqen të trazojnë mbrojtjen e verdhezinjve, e cila ka jo pak probleme. Po Karim Benzema?

Mos u shqetësoni! Zidane beson tek ai, por sulmuesi vazhdon rikuperimin nga dëmtimi i fundit. Ndërkaq, mbrojtësi shqiptar, Elseid Hysaj, me Napolin kërkojnë tri pikë në ballafaqim me Feyenoordin. Lideri italian beson në përparësinë e fushës dhe në pikë të plota, ndërsa mysafirët do të orvaten të kthehen të pamposhtur. Napoli nuk e kishte nisur mirë edicionin në Champions, sepse kishte humbur në Shakhtar me 2:1, po ashtu edhe Feyenoordi ishte mundur me 4:0 nga Manchester City, në kuadër të grupit F. Trajneri Pep Guardiola me Manchester Cityn besojnë e shpresojnë në fitore në ballafaqim me ukrainasit Shakhtar Donetskin. Në grupin G, Monaco është favoritë ndaj Portos mjaft të papërshtatshme.  Liverpooli kërkon pikë në Moskë ndaj Spartakut, në ndeshjen e grupit E. Liverpooli në hapje kishte barazuar 2:2 me Sevilën, por tani kërkojnë fitoren e parë në grup.  Shqiptari Valon Ahmedi me Mariborin i pret supersfidë në fushë të Sevillës. Maribori synon të bëj sensacion ndaj Sevillës shumë të favorizuar.

Ndeshjet, sonte

Grupi E

Sevilla-Maribor     20:45            

Spartak-Liverpool 20.45

Grupi F

Manchester City-Shakhtar Donetsk 20:45            

Napoli-Feyenoord        20:45            

Grupi G

Besiktas-RB Leipzig     20:45            

Monaco-Porto      20:45            

Grupi H

APOEL-Tottenham       20:45            

Dortmund-Real Madrid      20:45

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat