Skënderbeu, Prishtina, Partizani, Trepça ’89, Kukësi në një ligë...

Futboll

Skënderbeu, Prishtina, Partizani, Trepça ’89, Kukësi në një ligë...

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 12 tetor 2017 Në ora: 12:29
Pamje nga një ndeshje Partizani-Prishtina

Është momenti i duhur që të kemi një Ligë të përbashkët të futbollit Kosovë – Shqipëri. Të kemi Ligën Kombëtare që do të përfitonim të gjithë. Një ide e hedhur para disa vjetësh nga trajneri i mirënjohur Bylbyl Sokoli, që besa atëkohë ishte pëlqyer edhe nga Afrim Tovërlani, trajneri më i trofeshëm në vendin tonë.  Liga Kombëtare (e përbashkët ose Unike) do të ishte një pasuri edhe për vetë klubet, sepse shikueshmëria do të rritej gjithnjë e më shumë. Habit fakti, pse Armand Duka, presidenti i Federatës së Futbollit Shqiptar, dikur i kishte pëlqyer kjo ide, nuk e nisë iniciativën që ta realizojnë në praktikë Ligën Kombëtare! Kjo vërtet do të ishte fenomenale dhe do të kishim edhe më shumë derbi, si po e zëmë: Skënderbeu – Prishtina apo Partizani - Trepça ’89.

Liga Kombëtare gjithsesi do të ishte kapital i mirë me dhjetë ekipe e me sistem të katërfishtë (36 ndeshje)! Kampioni i Ligës Kombëtaren të shkojë në kualifikimet për Champions League, ndërsa nënkampioni në Europa League! Përveç Ligës Kombëtare, të funksionojë ndaras Kupa e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, kështu që fituesit e Kupës po ashtu të shkojnë në Europa League. Fituesi i Kupës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë, të luajnë për Kupën Kombëtare dhe fituesi këtij trofeut të ndeshet me kampionin e Ligës Kombëtare në Superkupën Kombëtare.   

Armand Duka së bashku me kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrri, do të ishte mirë të nisë këtë iniciativë, të kërkojnë edhe nga UEFA që kësaj lige t’i jepet drita e gjelbër dhe nuk e besojmë se do të ishte pengesë për dikë, sepse investimet do të ishin më të mëdha po ashtu edhe të ardhurat apo përfitimet më të mira.  Po e marrim renditjen e fundit të Kampionatit Shqiptar dhe asaj të Kosovës, pesë skuadrat që u renditen në pesë vendet e para, do ta formonin Ligën Kombëtare! Kjo është e paarritshme për edicionin e ardhshëm, por të paktën të realizohet në edicionin 2019-2020! Të paralajmërohen klubet se katër apo pesë skuadrat e para të jenë në Ligën Kombëtare, të tjerat të mbesin në Ligën e Shqipërisë dhe në Ligën e Kosovës. Kjo ide, sigurisht se do të përkrahej nga pjesa dërrmuese e klubeve, sepse Liga do të jetë më atraktive edhe për shikuesin, por dhe cilësia do të rritej.   Këtë ide do ta kundërshtonte vetëm Serbia, sepse do ta pengonte fuqizimi i futbollit shqiptar.

Po e supozojmë Liga Kombëtare me 10 ekipe:

1. Kukësi

2. Partizani I Tiranës

3. Skënderbeu nga Korça

4. Luftëtari nga Gjirokastra

5. Teuta nga Durrësi

6. Trepça ’89 nga Mitrovica

7. Prishtina 

8. Llapi nga Podujeva

9. Feronikeli nga Drenasi

10. Gjilani

Pastaj, nga liga të largohen dy skuadra, por kampioni i Kosovës dhe i Shqipërisë të ngjiten në Ligën Kombëtare. Por Liga e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë mos të quhen Superligë, por vetëm Liga e Parë.

Liga e Parë e Shqipërisë, sipas renditjes së edicionin 2016-2017

1. Laçi

2. Vllaznia                 

3. Flamurtari   

4.  Tirana          

5. Korabi

6. Kamza

7. Lushnja        

8. Bylisi

9. Kastrioti

10. Besëlidhja

 

Liga e Parë e Kosovës, sipas renditjes së edicionit 2016-17

1. Besa

2. Drenica        

3. Liria     

4. Drita    

5. Ferizaj 

6. Trepça  

7. Hajvalia

8. Vëllaznimi

9. Flamurtari

10. Vllaznia

Vendi i nëntë dhe i dhjetë të bien në Ligën e Dytë të Kosovës dhe të Shqipërisë, por i teti dhe i shtati të luajnë në barazh me vendin e tretë dhe të katërt të Ligës së Dytë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat