Goli fantazmë që i dha mundësinë Panamasë të kualifikohet

Futboll

Goli fantazmë që i dha mundësinë Panamasë të kualifikohet

Më: 13 tetor 2017 Në ora: 11:02
Goli fantazmë që i dha mundësinë Panamasë të kualifikohet

Goli fantazmë që i dha mundësinë Panamasë të kualifikohet për herë të parë në historinë e saj në Kupën e Botës, për Gianni Infantino-n është një rast që e bën të domosdoshëm përdorimin e VAR (video asistenti i arbitrit). Panamaja arriti barazimin në ndeshjen me Kosta Rikën në kualifikueset e CONCACAF në minutën e 52-të kur topi i gjuajtur nga Gabriel Torres nuk arriti të kalojë vijën e portës, por u gjykua i vlefshëm nga arbitri i takimit. Goli i fitores për panamezët erdhi në minutën e 87′ me anë të Roman Torrez.

“Kur luan kualifikimin për në Botëror dhe ndeshja vendoset nga një gabim në interpretimin e arbitrit, që mund të ndodhë sepse gjyqtarët janë qenie njerëzore dhe gabojnë si gjithë të tjerët, besoj se kjo do të thotë që ka ardhur momenti për të korrigjuar këto gabime”, u shpreh presidenti i FIFA-s.

“Kur të gjithë e shohin një gabim në pak sekonda dhe i vetmi që nuk e sheh është arbitri, jo sepse nuk do, por sepse nuk mundet, VAR është mënyra për ta zgjidhur, ndaj duhet të bëjmë një hap përpara”, theksoi Infantino, që nga Lioni, etapa e fundit e turit të tij nëpër qytetet që do të presin Botërorin e femrave në vitin 2019.

Presidenti i FIFA-s nuk e fsheh se e kërkon përdorimin e teknologjisë që në Botërorin e Rusisë verën e ardhshme: “Jemi gati ta zbatojmë, nuk ka asnjë sinjal negativ në testet që kemi kryer. Sa herë që është zbatuar, ka bërë mirë, duke konfirmuar vendimin e arbitrit apo korrigjuar një gjykim të gabuar. Objektivi i VAR është të korrigjojë gabimet e mëdha dhe jo detajet”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat