Heynckes: Ky Bayern është më i mirë se ai i vitit 2013

Futboll

Heynckes: Ky Bayern është më i mirë se ai i vitit 2013

Më: 13 tetor 2017 Në ora: 19:20
Jupp Heynckes

Këtë të shtunë, trajneri Jupp Heynckes do të drejtojë Bayern-in në ndeshjen e parë të rikthimit të tij të katërt në karrierë si bavarez. Pas katër vitesh mungesë, rivali i tij i radhës do të jetë Freiburg.

Në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes, 72-vjeçari tha: “Kur të bëhem 80 vjeç, do të mendoj se si të heq dorë nga vrapi i ditës…” Pra, nuk ka më shaka për moshën e tij! Ai ende vrapon dhe është i freskët si natyra.

Don Jupp nuk përqendrohet te vetja, sigurisht. Sot ai theksoi se “lojtarët po argëtohen sërish në stërvitje”. Sipas tij, të gjithë thonë se kanë një atmosferë shumë të mirë.

A është ky një “kunj” për paraardhësin Carlo Ancelotti? Epo, ndoshta…

I pyetur për përgatitjet e fundit, ai u përgjigj: “Duhet të japim akoma më shumë nga vetja. Prezantimet në ‘Power Point’ janë të mira dhe të këndshme, por të gjitha duhet t’i eksperimentosh në fushë”.

Për sa i përket “plakjes” së skuadrës, Heynckes nuk është i shqetësuar. Arjen Robben është 33 vjeç, për shembull, kurse Franck Ribery 34, por në Mynih, sipas tij, nuk ka vend për alarm. “Mosha nuk është ndonjë problem. Jam i shqetësuar për gjendjen fizike, profesionalizmin dhe motivimin. Emocionet e Arjenit me kombëtaren nuk i kisha parë prej kohësh. Kjo tregon se ai ende po digjet përbrenda. Ky Bayern është më i mirë se ai i vitit 2013, kur fituam kurorën e trefishtë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat