Shqipëria pesë vende më poshtë në renditjen e FIFA-s

Futboll

Shqipëria pesë vende më poshtë në renditjen e FIFA-s

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 11:25
Pamje nga një ndeshje

Kombëtarja shqiptare e futbollit luajti dy kualifikueset e fundit në Grupin G, për Kupën e Botës “Rusia 2018”, të cilat i humbi ndaj Spanjës dhe Italisë, respektivisht në Alicante dhe Shkodër. “Shpërblimi” për këtë ka ardhur sot, në renditjen mujore të tetorit, e publikuar nga FIFA. Më konkretisht, kuqezinjtë e drejtuar nga Christian Panucci e shohin veten në vendin e 71-të, me 551 pikë. E thënë ndryshe, Shqipëria ka humbur 5 vende krahasuar me muajin e kaluar. Për shtatorin e këtij viti, “shqiponjat” pozicionoheshin në vendin e 66-të, me 583 pikë, duke humbur edhe atëherë 3 vende në krahasim me muajin paraardhës.

Kujtojmë se kulmin e kulmeve në këtë renditje, Shqipëria e pati në muajin gusht 2015, vendin e 22-të në FIFA. Një rekord historik në ranglistën e kombëtareve të gjithë botës. Sa për histori, vendi i 84-t ka qenë pozicioni më i keq, që ka pasur kombëtarja shqiptare nën drejtimin e Xhani De Biazit. Këtë pozicionim kuqezinjtë e kanë pasur në muajt prill, maj, tetor dhe nëntor 2012.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat