Kolumbiani Carlos Bacca është rikthyer të flasë për skuadrën e Milanit, ku kaloi dy vite të karrierës së tij para se të transferohej gjatë kësaj vere në Spanjë te Villarreal.

Në një intervistë të dhënë së fundmi për “W Radio Colombia”, 31-vjeçare është shprehur se ka qenë pjesë e Milanit më të keq të historisë, por thotë se në anën profesionale është i kënaqur edhe pse mund të bënte më mirë, transmeton TCh.

“Vitet e kaluar te Milan kanë qenë të kënaqshëm në planin personal, kam arritur objektivin e paracaktuar. Mund të ishte bërë më shumë, por na duhej ndihma e drejtuesve. Kam qenë te Milan-i më i keq i historisë. Pas 31 vitesh presidenti Berlusconi donte ta shiste klubin. Me trajnerin dhe drejtuesit e rinj gjërat nuk kanë funksionuar sepse kishim ide të ndryshme, por vazhdoj përpara me kokën lart sepse Milan-i është në Europë dhe unë kam dhënë kontributin tim”, është shprehur Carlos Bacca.

Në dy sezoni te kuqezinjtë, sulmuesi kolumbian arriti të shënonte 31 gola në 70 ndeshje.