Tramontana: Një event që do të kujtohet për një kohë të gjatë në Kosovë

Futboll

Tramontana: Një event që do të kujtohet për një kohë të gjatë në Kosovë

Më: 9 nëntor 2017 Në ora: 17:06
Tramontana

Klubi me renome Prishtina e kishte mundësinë e artë muaj më parë, kur kishte ardhur rasti për të luajtur me skuadrën italiane, Genoa. Mirëpo, pasi që për momentin nuk është në dispozicion stadiumi, i cili është duke u rinovuar, ishte vendosur që kjo ndeshje të shtyhet për më vonë. Ndërkohë, FC Prishtina ka mbajtur kontaktet me ndërmjetësuesin e miqësoreve, Massimo Tramontana, i cili të enjten e ka vizituar Prishtinën.

Ai ka premtuar se është duke punuar që në Kosovë ta sjellë një skuadër nga Serie A, me gjasë Genoan, me të cilën i ka marrëdhëniet më të mira, për ta bërë një organizim të madh në inaugurimin e stadiumit të qytetit në Prishtinë, punimet e së cilit pritet të përfundojnë vitin tjetër. “Unë sugjeroj të bëhet një organizim të që njihet në nivel mediatik, në tërë Evropën, për inaugurimin e stadiumit të qytetit në Prishtinë. E kam parë tashmë që po bëhet një stadium i bukur. Kam biseduar me presidentin Ejupi për ta bërë një organizim, por për momentin nuk mund të them më shumë. Jemi duke biseduar, duke u munduar ta bëjmë një organizim, një event që do të kujtohet për një kohë të gjatë në Kosovë”, ka thënë Tramontana. “Unë do të synoj ta sjell një skuadër nga Serie A.

Nëse jo një klub të madh, mund të llogarisim në një skuadër të nivelit mesatar, që po ashtu do të ishte është i rëndësishëm. Nuk duhet të gabojmë, pasi për ju do të jetë një eveniment që do të mbahet në mend”, tha Tramontana. Prishtina do të kryej fazën përgatitore dimërore në Antalya të Turqisë dhe Tramontana thotë se do të mundohet që atyre t’ua sigurojë një miqësore me ndonjë ekip të njohur gjatë qëndrimit në Turqi.

Gjithashtu, ai është i hapur për bashkëpunime të ndryshme me prishtinasit në të ardhmen dhe ta vizitojë përsëri vendin tonë, ku sheh potencial. Italiani thotë se për të është mjaft tërheqëse të punojë në shtetet në zhvillim, ndërsa tregon se ka bashkëpunuar edhe me Shkëndijën, për të cilën thotë se ka marrë hov të madh viteve të fundit, ndërkohë që mendon se klubet kosovare, përfshirë këtu edhe FC Prishtinën, duhet t’i marrë si shembull Kuqezinjtë. “Mua më pëlqen të bashkëpunoj me këto vende, që janë në zhvillim e sipër, siç mund të jetë Kosova, ose këtë vit mund ta shohim Maqedoninë. Shkëndija ka luajtur në ‘San Siro’ ndaj Milanit, kjo është e bukura e futbollit sipas meje. Shkëndija duhet të jetë një model për ju”, tha Tramontana. Ai e ka lavdëruar edhe presidentin e klubit, Remzi Ejupi, të cilin e ka konsideruar si njeri të përgjegjshëm dhe ambicioz. “Jam njohur me presidentin Ejupi. Menjëherë jemi ndier më të afërt, më duket një person mjaft kompetent dhe përgjegjës, mjaft modest dhe për këtë kam pranuar të vi dhe ta vizitoj realitetin e futbollit të Kosovës”, përfundoi Tramontana.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat