Gjeraj: Për ne shqiptarët - lajm i madh të kemi Zvicrën në Botëror

Futboll

Gjeraj: Për ne shqiptarët - lajm i madh të kemi Zvicrën në Botëror

Nga: Kemajl Goca Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 12:28
Robert Gjeraj

Futbollisti i mirënjohur i Kosovës, Robert Gjeraj, tha se Zvicra 90 për qind është e kualifikuar dhe sipas tij, në bazë të lojës që dëshmoi Irlanda Veriore as që e ka merituar të jetë pjesë e play-off-it. Zvicra sonte (18.00) në Basel e luan takimin e kthimit me Irlandën Veriore, për të siguruar biletën për në Kampionatin Botëror që mbahet vitin e ardhshëm në Rusi.

“Mendoj se Irlanda Veriore nuk ka gjasa, ndërsa Zvicra e ka rezultatin si përparësi, sepse ka shënuar si mysafir plus e ka cilësinë. 90 për qind janë të kualifikuar në bazë të asaj loje që e bënë në Belfast. Irlanda nuk ka treguar as dëshirë as lojë para një publikut të zjarrtë të saj dhe habitem se si ka arritur të vijë deri në këtë fazë”, thotë Gjeraj për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Gjeraj thotë se zviceranët me gjysmë force arritën fitore dhe është krenarë që në petkun e saj janë pesë shqiptarë: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili, Valon Behrami e Admir Mehmedi. “Zvicra fitoi me 50 për qind të forcës, edhe pse hasi në terren të papërshtatshëm për shkak të kohës me shi. Për ne shqiptarët është një lajm i madh të kemi Zvicrën në Botëror, sepse kemi pesë shqiptarë që luajnë me sukses të madh në radhët e Zvicrës.

Ata vazhdimisht na bëjnë krenarë, sikurse një kohë Ardian Kozniku kur luante me Kroacinë. Sukseset e Zvicrës janë meritë e shqiptarëve, sepse vazhdimisht e bartin barrën kryesore. Mund të them se është sikurse një kombëtare shqiptare, se shumë herë e kemi pothuajse 50 për qind të përbërjes me shqiptarë, kjo na bënë të mburrem”, thotë Gjeraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat