Kosova me zemër të madhe, përmbysi Letoninë

Futboll

Kosova me zemër të madhe, përmbysi Letoninë

Nga: Kemajl Goca Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 20:10
Festa e Halimit pas golit të fitores

Kombëtarja e Kosovës si Gjermania!  Djelmoshat tanë luftuan deri në sekondat e fundit dhe fituan me rezultat 4:3 kundër Letonisë, në ndeshjen miqësore që u zhvillua në stadiumin "Adem Jashari" në Mitrovicë. Kombëtarja e Kosovës tregoi zemër të madhe dhe në finish përmbysi Letoninë, sepse deri në minutën e 86-të ishin në disavantazh (2:3). Gjithçka u përmbys duke iu falënderuar golave të futbollistëve Elbasan Rashanit e Besar Halimit.

Fitore e madhe ani se në një miqësore, por e cila vjen pas një serie negative, nëntë humbje rresht në garat kualifikuese për Kampionatin Botëror - "Rusia 2018".  Mbi 5 mijë shikues u ndanë të kënaqur me lojë e me shtatë gola. Letonia shënoi tri herë madje dy herë nga mos reagimi si duhet i portierit Samir Ujkani. Mbi të gjitha, u tregua një lojë mjaft e mirë në mes të dyja kombëtareve. Trajneri i kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti, me lojë ofensive ia doli ta mposhtë Letoninë.  

Në minutën e 6-të, Milot Rashica me mjeshtrin e tij goditi nga 15 metra dhe për fat të mysafirëve topi shkoi jashtë portës. Në minutën e 11-të, Glebs Kluskins nga rreth 15 metra e mposhti portierin Ujkani dhe 0:1. Pas dy minutave, Amir Rrahmani për bukuri goditi me kokë dhe la të shtangur portierin rival, 1:1. Në minutën e 31-të, Samir Ujkani nuk reagoi si duhet, duke i ikur topi nga dora dhe Valerijs Sabala kaloi në epërsi letonët, 1:2. Në fund të pjesës së parë, sulmuesi Vedat Muriqi nga afësia me kokë shënoi për rezultatin 2:2.

Në minutën e 59-të, portieri Samir Ujkani sërish nuk ishte në nivelin e duhur! Futbollisti Kluskins nga rreth 23-24 metra me një goditje të fortë realizoi për 2:3. Në fund të takimit dramë e vërtet. Në minutën e 86-të, lojtari leton duke tentuar të heq topin, ka qëlluar Elbasan Rashanin dhe futet në rrjetë, 3:3. Në minutën e 89-të, Mërgim Vojvoda ka mundur Kosovën ta kaloi në epërsi, por u hutua dhe gjuajtja e tij përfundoi në duart e portierit rival.

Në minutën e 90+4,  Atdhe Nuhiu godet fuqishëm dhe topi ndalet në shtyllë pingule, rikthehet deri të Besar Halimi i cili me gjuajtje të fuqishme plasoi topin në rrjetë dhe i siguroi fitoren Kosovës me rezultat 4:3, njëherësh duke gëzuar tifozët "Dardanët" dhe gjithë popullin shqiptar. 

Kosova-Letonia    4:3
Stadiumi "Adem Jashari", Mitrovicë.
Shikues: 5000.
Shënues: Rrahmani (13'), Muriqi (45'), Rashani (86') e Halimi (90+4) - Kluskins (11' e 59'), Sabala (30'). 
Kosova: Ujkani, Vojvoda, Aliti, Rrahmani, Dallku, Halimi, Kryeziu, B. Berisha, Muriqi, Rashica dhe V. Berisha. 
Në pjesën dytë luajtën: Hajdini, Nuhiu, Kastrati, Rashani, Sahiti, Thaçi.
Letonia: Vanins, Dubra, Gabovs, D. Ikaunieks, J. Ikaunieks, Indrans, Kluskins, Kolesovs, Maksimenko, Sabala dhe Tarasovs.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat