Shqipëria e Panuccit

Futboll

Shqipëria e Panuccit

Nga: Andri Çunga Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 13:23
Pamje nga ndeshja

Debate

Kjo është skuadra ime, — këto ishin fjalët e teknikut italian pas përfundimit të takimit miqësor me Turqinë. Gëzimi dukej qartë edhe për faktin se arriti të fitojë bastin me modulin dhe prurjet e reja që solli. Kjo që sapo lamë pas, ishte një javë e vështirë për kombëtaren, por sidomos për trajnerin Christian Panucci, i cili u vu në qendër të kritikave nga shtypi vendas për shkak të grumbullimeve. Këto ndryshime të shpejta duket sikur donin të tregonin se nuk është më Shqipëria e De Biasit, por një Shqipëri tjetër, e riafirmuar.

Dhe pas gjithë këtyre pikëpyetjeve, erdhi një fitore e madhe (3:2). Me të vërtetë në një ndeshje miqësore dhe përballë me “një mijë e një halle”, por edhe me një lojtar më pak për 50 minuta dhe një lirshmëri të admirueshme në lojën sulmuese. Gjithashtu, me dy raketa si Roshi (2 asiste) dhe Grezda (goli i parë me ekipin kombëtar) nga krahët, turqit ishin të paralajmëruar se këtë herë nuk do ta kishin të lehtë. Pa harruar as goleadorin Sadiku, i cili me dy golat e Antalias arriti kuotën e 11 golave me kombëtaren, duke rrezikuar rekordin e Bogdanit (18 gola / 1996 – 2013).

Një mesfushë me më shumë fantazi ishte ajo e treshes Xhaka – Lilaj – Memushaj, të cilët mundësuan një qarkullim të mirë të topit deri në momentin e kartonit të dytë të verdhë (për një ndërhyrje më se të evitueshme) nga Memushaj. Paraqitje spektakolare bëri edhe kapiteni Berisha, i cili u shndërrua në një mur të vërtetë jo në pak momente. Punë relativisht të mirë bëri edhe mbrojtja. Në tërësi, për paraqitjen e saj mund të themi se ishte deri diku pozitive, edhe pse u vu shpesh në vështirësi më së shumti prej inferioritetit numerik.

Kjo përballje e post-kualifikueseve Rusi 2018 nxori në pah një veçanti që nuk e kishim hasur kurrë më parë, — një ekip të rrezikshëm kur e ka topin në këmbë, dhe cinik para porte. Pavarësisht sukseseve që ishim mësuar deri tani, Shqipëria e Panucci-t qartësisht duket ndryshe nga ato të mëparshmet, madje edhe nga ajo e De Biasit. Se sa e suksesshme do të jetë në arritje në terma afatgjatë, mbetet për tu pare. Por që do të kemi të bëjmë me një ekip argëtues, kjo duket e garantuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat