A po udhëhiqen klubet vërtet nga “milionerët”?

Futboll

A po udhëhiqen klubet vërtet nga “milionerët”?

Nga: Nexhmedin Bunjaku Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 12:30
Nexhmedin Bunjaku

Duke e ditur gjendjen e infrastrukturës sidomos fushave të futbollit, duke ditur kushtet klimatike, në futbollin e Kosovës po ndodhin skena sa komike, aq edhe te dhimbshme.

Shumë klube po preferohen si mirë të organizuara nga jashtë, por në fakte kanë shumë mangësi nga brenda që nëse shpresojmë nga e ardhmja profesionale, këto mangësi do të jenë barrikadë e fortë drejt profesionalizmit.

Shumica e klubeve nuk janë të kompletuara me struktura udhëheqëse profesionale, me staf komplet profesional që ka për detyrë organizimin e jashtëm dhe të brendshëm të klubit, nuk kanë një shtab teknik të kompletuar, nuk kanë menaxhimin teknik nga njerëz profesionist, administrim adekuat etj.

Ndeshjet e xhiros se fundit të Superligës nxorën në shesh shumë mangësi që për klubet janë ndoshta të vogla, por nga rëndësia dëmtojnë shumë.

Ishte e pakuptimtë që në një ndeshje ku fusha ishte e mbuluar me borë ku sipas proporcioneve apo rregullave të UEFA-ës, topi duhet të ketë ngjyre jo të bardhë pra ose ngjyrë të portokalltë apo edhe të kuqe, por edhe vijat që kufizojnë fushën, nuk ishin të dukshme apo së paku të bëheshin me sprej me ndonjë ngjyrë të dalluar.

Rasti tjetër ishte në derbin (Gjilani-Drita) ku fusha ishte vërtetë e baltosur e vende vende me pusa uji qe futbollistëve u shkaktoi shumë probleme, por problemi më i madhe i tyre ishte uniforma e tyre e baltosur dhe qullosur nga uji ku edhe pas pushimit në mes pjesëve dolën në fushë me të njëjtën uniformë të lagur dhe baltosur dhe nga kjo vihet në dyshim se a kanë ekipet elitare topa që kërkojnë rregullat dhe uniformat (tenyt) rezervë për t’u mbrojtur futbollistët nga ftohja?

Gabimet e FFK-së, nuk kanë të ndalur edhe me vetë caktimin e ndeshjeve shtesë në këtë gjysmë kampionati dhe ndeshjeve për Kupën e Republikës duke parë kushtet klimatike dhe duke e ditur gjendjen katastrofale të infrastrukturës.

Në fund, shtrohen pyetjet: A po e udhëheqin FFK-n njerëzit me dije dhe vlera profesionale, a po i udhëheqin klubet “milionerët”, por pa e kuptuar lojën e futbollit në thelb; A është koha e fundit që të vetedijesohemi se profesionalizmi nuk zbret nga qielli.

Shpresoj dhe lutem që në sezonin e nxehtë pranveror, gjithçka të shkojë mirë dhe klubet mos të kenë krizë financiare, por edhe federata mos të llogaris në matematikat dhe paragjykimet.

Autori është ish futbollist i Dritës nga Gjilani dhe ish gjyqtar i futbollit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat