Klubet shqiptare asnjë fitore ndaj atyre zvicerane

Futboll

Klubet shqiptare asnjë fitore ndaj atyre zvicerane

Më: 6 dhjetor 2017 Në ora: 13:16
Pamje nga një ndeshje

Faqja zyrtare e UEFA-s i ka bërë një përmbledhje pragndeshjes së fundit në grupin B mes Jang Bojsit dhe Skënderbeut që do të luhet nesër, në orën 19:00. “Panorama Sport” sjell disa nga kuriozitetet e ekipeve që e mbyllin këtu përfaqësimin në Ligën e Europës.

As Jang Bojsi dhe as Skënderbeu nuk mund të arrijnë në fazën tjetër, por skuadra zvicerane do të shpresojë t’i japë fund paraqitjes zhgënjyese në grup duke marrë fitoren e parë në ndeshjen e fundit.

Skënderbeu mposhti udhëheqësit e grupit, Dinamo Kiev, me shifrat 3-2 në shtëpi. Tashmë ka shansin që për herë të parë të përfundojë grupin në vendin e tretë nëse arrin të shmangë humbje në Zvicër. Kjo është performanca më e suksesshme në Europë në historinë e Skënderbeut.

Dy klubet barazuan në takimin e parë, në “Elbasan Arena”, falë golave të sulmuesit nga Gambia, Ali Soue, si dhe lojtarit nga Bregu i Fildishtë, Roger Asale, shtatë minuta para përfundimit të takimit.

Klubet shqiptare nuk kanë fituar asnjë takim ndaj atyre zvicerane në historinë e Kupave të Europës.

Skënderbeu nuk ka marrë ende një pikë jashtë fushës për këtë edicion në grupin B. Nesër është shansi për të thyer këtë statistikë negative.

Udhëtimi nga Elbasani, ku Skënderbeu luan ndeshjet europiane, deri në qytetin e Bernës është rreth 1200 kilometra.

Jang Bojsi mburret me talentin shqiptar, Taulant Seferi, që në Zvicër njihet me mbiemrin Sulejmanov. Ai është pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë dhe prej vitesh luan te klubi zviceran.

Mbrojtësi i Skënderbeut, Fidan Aliti, filloi karrierën e tij në Zvicër duke luajtur për Old Bojs (2011-13) dhe Luzern (2013-15).

Skënderbeu është një nga tri skuadrat që kanë arritur në fazën e grupeve të Ligës së Europës, të cilat kanë filluar fushatën e tyre nga turi i parë paraeliminator. Si Skënderbeu kanë bërë edhe Makabi Tel-Aviv dhe Crvena Zvezda.

Portieri i Skënderbeut, Orges Shehi, është lojtari i nëntë në moshën 40-vjeçare që ka luajtur në historinë e Ligës së Europës. Mirëpo, në garën e këtij sezoni, ai është futbollisti më i vjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat