Mourinho ‘qan’ penalltinë e mohuar: Nuk e merituam humbjen

Futboll

Mourinho ‘qan’ penalltinë e mohuar: Nuk e merituam humbjen

Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 08:31
Jose Mourinho

Manchester City bëri të tijin derbin e qytetit dhe njëkohësisht ‘vrau’ garën për titullin kampion në Angli, pasi kryeson me plot 11 pikë diferencë ndaj Unitedit ndjekës.

Trajneri i ‘djajve të kuq’, Jose Mourinho u shpreh shumë i zhgënjyer me rezultatin e ndeshjes, ndërsa pranon se distanca në renditje me Cityn është shumë e vështirë për t’u rikuperuar.

“11 pikë janë shumë dhe për më tepër në një kampionat shumë konkurrues siç është Premier League, ku ka shumë skuadra që luftojnë për pikë. Ndonëse ka edhe shumë javë në lojë, do të jetë thuajse e pamundur të rikuperohet kjo diferencë”, u shpreh portugezi.

Gjithsesi, Mourinho duket se nuk e pranoi humbjen e djeshme, teksa theksoi se skuadra luajti mirë dhe bëri gjithçka për të marrë të paktën 1 pikë. Portugezi nuk lë pa përmendur edhe një 11-metërsh të pa dhënë nga gjyqtari, kur takimi ishte 1-2 dhe kishin mbetur edhe 20 minuta nga fundi i lojës.

“Nuk dua të diskutoj pritjet e Edersonit, sepse portieri prandaj rri në portë, për të mos lënë topin të futet në rrjetë. Mua më bën habi se si nuk akordohet një 11-metërsh i pastër, vetëm 20 minuta nga fundi. Me atë penallti mund të kishim synuar edhe fitoren, sepse skuadra luajti mirë. City është një kundërshtar mjaft i fortë, por dje na ndëshkoi nga 2 gola aksidentalë, që ndodhin vetëm kur ke fatin kundër”, tha Jose Mourinho.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat