“Kalimi tek Juventus ishte një gabim, por gabimin më të madh e bëri Inter”

Futboll

“Kalimi tek Juventus ishte një gabim, por gabimin më të madh e bëri Inter”

Më: 14 dhjetor 2017 Në ora: 00:11
Lucio

Lucio ka qenë një nga titullarët e Inter-it të Mourinho-s në vitin e “Triplete”-s. Ai do të mbahet mend gjithmonë si një nga heronjtë e asaj skuadre, por në karrierën e tij ka patur edhe një eksperiencë të shkurtër me Juventus, që krijoi shumë polemika. Tani, pas disa vitesh, braziliani është kthyer të flasë për transferimin e tij tek Juventus: “Në 2012-ën kam patur mundësinë të shkoja tek Juventus, nuk ka qenë një zgjedhje e madhe, sepse kam qëndruar vetëm gjashtë muaj, por gjithsesi kam fituar Superkupën e Italisë”, ka thënë Lucio.

Në intervistën e dhënë për calciomercato.com, qendërmbrojtësi ka thënë se Inter nuk ka fituar më trofe (nga 2011), sepse klubi vendosi t’i largonte të gjithë në 2012-ën, duke ndryshuar një numër të madh lojtarësh të rëndësishëm: “Në 2012-ën vendosën të rindërtonin ekipin dhe unë nuk mund të vazhdoja aty. Mbaj mend se një nga drejtuesit ishte Branca. Ka qenë një gabim i madh i klubit të ndryshonte gjithçka, sepse nga ai vit nuk ka fituar më asgjë. Sipas mendimit tim, largimet e Eto’o, Julio Cesar dhe Maicon kanë qenë një gabim i madh”.

Sot, Lucio luan me amatorët e Sociedade Sportiva Do Gama në Brazil. Dëshira për të luajtur nuk i është larguar kurrë, ashtu si dëshira për të ndihmuar një qytet dhe shumë të rinj: “Është një eksperiencë e ndryshme, por kam akoma një dëshirë të madhe për të luajtur futboll. E dua këtë sport dhe më ka motivuar të luaj”, ka thënë ai, që më pas ka folur edhe për brazilianët e Juventus, Douglas Costa dhe Alex Sandro: “Juventus dhe Inter kanë mundësinë ta fitojnë titullin, por duhet të bëjnë kujdes nga Napoli, që është përmirësuar shumë në vitet e fundit. Douglas Costa dhe Alex Sandro janë dy lojtarë shumë të mirë dhe janë grumbulluar vazhdimisht nga trajneri i Brazilit. Të shohim nëse do të jetë kështu edhe për Botërorin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat