Shënoi gol për 10 sekonda

Futboll

Shënoi gol për 10 sekonda

Më: 14 dhjetor 2017 Në ora: 16:14
Arlind Kalanë

I mjaftuan jo më shumë se 10 sekonda në fushë që të shënonte. Të parin top që i erdhi e ktheu në gol, me atë goditje të bukur me kokë. Flasim për Arlind Kalanë, sulmuesi që i dha shpresë Vllaznisë për të besuar te kualifikimi. Lojtari i linjës, edhe pse i gëzohet golit, evidenton se zhgënjimi është i madh.

Ai po shpresonte aq shumë se goli i dytë do të vinte, por kjo gjë nuk ndodhi. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” Kalaja beson se kriza do të kalojë shumë shpejt, duke filluar nga java e ardhshme në kampionat, ku përballë do të kenë Kamzën. “Më vjen keq që nuk arritëm të kualifikohemi. Unë jam i kënaqur që shënova, por nuk mund të gëzohem plotësisht.

Nuk kam se si, kur unë dëshiroja që të kishim shënuar edhe golin e dytë dhe të tretë dhe të kalonim në raundin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Tani që ky kompeticion iku, mendja jonë është vetëm në kampionat. Të gjitha forcat tona zhvendosen te Superiorja tani, aty ku do të bëjmë maksimumin.

Ne do të kërkojmë që të kalojmë këtë krizë në të cilën gjendemi. Unë mundohem të bëj më të mirën time të justifikoj besimin e trajnerit. A do jem titullar? Tani është trajneri që të vendosë nëse do të jem apo jo nga minuta e parë”, përfundoi sulmuesi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat