Partizani “për faqe të zezë”, largohet Starova,Laçi surprizon Flamurtarin, Kukësi ngjitet i dyti

Futboll

Partizani “për faqe të zezë”, largohet Starova,Laçi surprizon Flamurtarin, Kukësi ngjitet i dyti

Më: 18 dhjetor 2017 Në ora: 06:26
Partizani

Luftëtari i jep një leksion futbolli Partizanit në Gjirokastër, duke i shkaktuar një humbje të rëndë 5-0, që as tifozi më fanatik i bluzinjve nuk do ta kishte besuar. Një triumf i pastër taktik i Hasan Lika ndaj Starovës, bashkë me të cilin e ka shpallur për herë të fundit kampion Partizanin në vitin 1993. Askush nuk e kishte menduar një shpartallim të tillë të skuadrës kryeqyetetase, që udhëtonte drejt Gjirokastrës për të marrë fitoren e radhës në Superiore.

Partizani zhvilloi një pjesë të parë katastrofë, duke u detyruar ta nxirrte plot tre herë topin nga rrjetë me një një sjelljeje amatore në fazën mbrojtëse.

Në minutën e 21-të, falë këmbënguljes së gjatë të bluzinjve, Dejvi Bregu i gjendur në kohën dhe vendin e duhur pranë vijës fatale, nuk e ka të vështirë për ta dërguar topin në rrjetë.

Brishtësia e të kuqve në fazën mbrojtëse doli në pah edhe të 37-ën, kur Kristal Abazaj pasi shmang Ibrahimin realizon të dytin për vendasit përballë Hoxhës. Por mbrojtja “e tmerrshme” e Partizanit i la hapësira një prej lojtarëve më të mirë të Luftëtarit edhe 2 minuta me vonë, me Hoxhën që s’mund të bënte asgjë për të shmangur të tretin. “Tmerri” për 15-herë kampionët e Shqipërisë do të vijonte edhe në pjesën e dytë, teksa në minutën e 61-të Eri Lamçja do të realizonte golin e katërt. Nuk do të kishte fund “makthi” për të kuqtë, pasi Dejvi Bregu shënoi edhe golin e pestë dhe të dytin personal 10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, ndërsa u desh reagimi i Hoxhës për të shmangur të gjashtin pas tentativës së Bregut.

As ndryshimet në formacion nga ana e Starovës nuk mund ta përmirësonin imazhin negativ të Partizanit, që pësoi në Gjirokastër një disfatë historike. Në pëfundim të ndeshjes trajneri Sulejman Starova dha dorëheqjen.

Fitore e madhe edhe e Laçit në transfertë e Flamurtarit. 45 minutat e dyta të kësaj ndeshjeje, që u ndërpre një ditë më par për shkak të reshjeve të shiut nuk sollën asnjë gol, me rezultatin pëfundimtar që mbetet 0-1. Finalizimi i Reginaldos me 11-metërsh mjaftoi për kurbinasit që të ktheheshin nga Vlora me pikët maksimale.

Buzëqesh më në fund Kukësi. Pas 2 humbjeve radhazi, skuadra e Mladen Milinkovic u rikthye te suksesi në kampionat pasi mposhti 2-1 me përmbysje Teutën, brenda në Niko Dovana duke i zhytur në krizë durrsakët të cilët pësuan humbjen e 3-të radhazi. Një fitore që e ngjiti Kukësin në vendin e dytë në kuotën e 25 pikëve po aq sa Flamurtari por në sajë të goleavarazhit më të mirë janë verilindorët ata që qëndrojnë më sipër. Teuta kishte nevojë urgjente për pikë për ti larguar zonës së rrezikut të rënies nga kategoria por goli i avantazhit provizor 1-0 i realizuar nga sulmuesi ganez Latif Amadu nuk I mjaftoi skuadrës së Maganit, pasi miqtë përmbysën shifrat me golat e Bakajt me 11-metërsh dhe të riut Valon Ethemi në fundin e pjesës së parë dhe fillimin e pjesës së dytë. Kukësi vuajti në fund për të marrë këtë fitore pasi për 20 minuta luajti më një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Ylli Shameti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat