“Zonja” kërkon “mrekullinë e tetë” kundër Roma-s

Futboll

“Zonja” kërkon “mrekullinë e tetë” kundër Roma-s

Më: 23 dhjetor 2017 Në ora: 08:15
Juventus dhe Roma

Juventus dhe Roma do të mbyllin javën e 18-të të kampionatit italian. Bardhezinjtë do të presin në shtëpi një nga rivalët për titullin dhe skuadrën që zuri vendin e dytë në sezonin e kaluar të kampionatit italian. Nuk ka qenë një sezon perfekt ky për “Zonjën”, që vazhdon të jetë në kërkim të vendit të parë në renditje. Trajneri Allegri, përveç të tjerave, duket se duhet të përballet edhe me pakënaqësitë e Alex Sandro dhe Paulo Dybala. Megjithatë, kjo situatë nuk ka patur asnjë ndikim në paraqitjet e fundit të torinezëve, të cilët do të paraqiten në sfidën e së shtunës pas pesë fitoresh dhe një barazimi të marrë në gjashtë ndeshjet e fundit, të luajtura në të gjitha kompeticionet.

Për më tepër, ata nuk kanë pësuar asnjë gol në këto gjashtë ndeshje. Edhe verdhekuqtë nuk kanë qenë të lehtë për t’u çarë kohët e fundit, por ata do të zbresin në “Allianz Stadium” pas eliminimit të pësuar në Kupën e Italisë kundër Torino-s. Shqetësimi kryesor i trajnerit Du Francesco është forma e keqe që po kalon sulmuesi Edin Dzeko, i cili ka shënuar vetëm 1 gol në 13 ndeshjet e fundit. Për sa i takon përballjeve të drejtpërdrejta, bardhezinjtë kanë fituar 15 nga 26 ndeshjet e mëparshme që ka luajtur kundër Roma-s në Torino.

Gjithashtu, Juventus është e pamposhtur në 37 nga 38 ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur në shtëpi dhe ka fituar 7 takimet e fundit që ka luajtur në shtëpi kundër Roma-s në të gjitha kompeticionet. Verdhekuqtë, nga ana tjetër, kanë fituar 16 nga 20 ndeshjet e fundit të luajtura në Serinë A.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat