Lushtaku: Pa presion

Futboll

Lushtaku: Pa presion

Nga: Kemajl Goca Më: 7 shkurt 2018 Në ora: 15:22
Tahir Lushtaku

Drenica nga Skenderaj mobilizohet për pjesën e dytë të Kampionatit të Kosovës.  Skuadra kuqezi tash e sa ditë vazhdon përgatitjet në Durrës, në kushte mjaft të mira dhe me synime që të jenë sa më të gatshëm për pjesën pranverore. Skenderajasit janë në vend të gjashtë me 28 pikë dhe pretendojnë të ruajnë mesin e tabelës eventualisht të ngjiten edhe më lartë.  Drejtori sportiv i klubit, Tahir Lushtaku, tha se gjithçka shkon sipas programit.

“Atmosfera është në nivelin më të lartë dhe kushtet për stërvitje janë të mira, gjithashtu akomodimi në hotel ‘Bonita’ është shumë i mirë apo perfekt”, thotë Lushtaku për gazetën kombëtare “Bota sot”. Më tej Lushtaku tha se do të jetë një Drenicë më e organizuar:

“Do të thosha është një Drenicë më e organizuar me të gjitha aspektet, duke u nisur nga riorganizimi që kemi bë në klub, me një kryesi të re, me një shtab teknik të ri dhe me një fond të lojtarëve, që tash 90 për qind janë me kontrata profesionale dhe me më afate nga 18-36 muaj, që do të thotë jemi në rrugë, duke u munduar më gjatë me funksionuar si klub”. Sa i përket fondit të lojtarëve, tha se janë të kënaqur: “Për momentin jemi të kënaqur me fondin e lojtarëve, mendoj për këtë sezon, ndërsa në afatin e verës do të ketë risi në klube sa i përket ardhjeve apo shkuarjeve”.

Cilat janë synimet e Drenicës dhe a ndiheni në presion të barazhit? “Ne nuk kemi ndonjë synim apo presion, ne do të mundohemi të jemi ekip mirë i organizuar, ekip stabil si në kampionat po ashtu edhe në Kupë. Sa i përket barazhit as që mendojmë andej, nuk jemi ekip për barazh, ne do të mundohemi që me lojë të mirë dhe rezultate të jemi në pozitën e lartë në tabelë, por edhe Kupës do t’ia bëjmë hyzmetin dhe të shohim se ku do të arrijmë, por gjithmonë pa ndonjë presion apo ngarkesë”, thotë Lushtaku.  Drenica është favoritë për Kupë, e cila do të takohet me skuadrën e rangut të ultë, Arbëria, sfidë që luhet me 14 shkurt. 

Çfarë i mungon më shumë Drenicës? “Drenicës i mungon infrastruktura,  ajo është problemi më i madh tash për tash. Shpresoj që edhe kjo do të bëhet në një të ardhme të shpejt. Sepse, sivjet besoj të bëhet fusha ndihmëse me bari artificial, ndërsa jemi në kontakte me Komunën dhe me kryesinë e klubit që të bëjmë plan të përbashkët sa i përket infrastrukturës dhe sidomos fushave të fubollit”, theksoi ai.  Drenica deri me tash ka zhvilluar disa ndeshje miqësore, por planifikojnë edhe një me Ferizajn të premten, për të parë formën e secilit futbollist. “Kemi luajtur deri tash katër ndeshje miqësore dhe do ti luajmë edhe dy sot dhe të premten e kemi të fundit me Ferizajn”, ka thënë Lushtaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat