Njeriu që bëri epokë

Futboll

Njeriu që bëri epokë

Nga: Kemajl Goca Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 15:27
Avdi Krasniqi

“Njeriu që bëri epokë”, është libri për Avdi Krasniqin, kryetar nderi i klubit të futbollit Feronikeli nga Drenasi.  Në promovimin e librit morën pjesë personalitete të shumta, ndër ta edhe kryetari i Partisë Liberale të Kosovës (PLK), Skënder Gashi; humoristi Rasim Thaçi-Cima, ndryshe ish futbollist i mirënjohur. Njeriu që dha shumë për sportin pa dyshim ka qenë Krasniqi, i cili në vitet e 90-ta i futet një misioni shumë të vështirë dhe me rreziqe të mëdha, duke investuar në klubin e futbollit Feronikeli dhe në anën tjetër duke e sfiduar Serbinë agresore.

Ai në vitet e 90-ta ka qenë kryetar i klubit Feronikelit dhe nuk ka kursyer asgjë nga xhepi i tij, për të mbajtur klubin, që atëkohë ishin halë në sy nga regjimi kriminal serb. Krasniqi vazhdimisht ishte i përcjellur nga milicia serbiane dhe disa herë u morë në bisedat informative,  i maltretuar dhe i rrahur dhe në shtator të vitit 1998 ka qenë i plagosur, fal Zotit sot është gjallë.  

Image

Pamje nga promovimi i librit

Njeriu që dha shumë për sportin, kishte emocione të pakufishme, në disa momente e tradhtuan edhe lotët kur kujtonte periudhën e viteve të 90-ta. Ai tregoi sakrificat e tija para të pranishmit në bibliotekën “Kombëtare” në Prishtinë, në promovimin e librit “Njeriu që bëri epokë”, me autor Riza Greiçevci. “Në mesin e njerëzimit, ku mësohet e zbatohet Kodi i nderit, i moralit të pastër, i miqësisë, i dashurisë, i respektit, sakrifica, i vetëmohimi, aty jo, jo s’ka njerëz të vegjël, o të mëdhenj, s’ka të pasur, o varfanjakë, s’ka uri, urrejtje, as mëri, s’ka njerëz të robëruar, as lypsarë, as të uritur, por ka dashuri, vëllazëri, lumturi, paqe...”, tha mes të tjera Greiçevci.

Në promovimin e librit, folën edhe shumë të tjerë, duke thur  fjalë të mëdha për Krasniqin. Foli edhe ish trajneri i Feronikelit, Musa Selimi, i cili ka qenë më i merituar që  ky kolektiv u fut në elitë, e cila është kampion i Kosovës në vitin 2014-15, 2015-16, fitues i Kupës dhe Superkupës së Kosovës.  Fadil Hoxha kujtoj periudhën kur ishte trajner, në kohën më të vështirë, sipas tij përveç rrezikshmërisë që e kishin kur udhëtonin si klub, frika tjetër ishte se këta djem të rinj, ndonjë mund të kapet nga milicia serbe e ta dërgojnë në shërbimin ushtarak serb të asaj kohe.  Beqir Aliu, si kryetar i KF Prishtinës në vitet e 90-ta, tha se duhet të kujtohen shumë emra që dhanë për sportin, kurse Izet Avdyli përmendi edhe kohën kur nisën themelet e pavarësimit, nga 2 korriku, 7 shtatori, referendumi në fillim të viteve të 90-ta. Në promovim u tha, se Avdi Krasniqi, ka qenë një humanist, “baba” i celulave të para të lojës së futbollit në Drenicë, njeriu i rezistencës në kohën e represionit serb, ku çdo lojë zhvillohej nën tytat e automatikëve të militarëve e paramilitarëve serbë-çetnikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat