Vula: Vëllaznimi po rritet në të gjitha aspektet

Futboll

Vula: Vëllaznimi po rritet në të gjitha aspektet

Nga: Kemajl Goca Më: 9 mars 2018 Në ora: 16:42
Lekë Vula

Klubin me renome Vëllaznimin nga Gjakova do ta presë betejë e madhe në luftë për ekzistencë në elitën e futbollit, por në fakt është në garë edhe për trofeun e Kupës së Kosovës.

Skuadra gjakovare tash për tash është në zonën e rrezikut përkatësisht në vend të nëntë me 27 pikë, pozitë e cila shpie në barazh për mbetje në ligë, por drejtuesit e kësaj skuadre janë optimistë se do t’i shmangen më të keqes. Mesfushori Lekë Vula tha se skuadra e tij po rritet dhe po bëhet gjithnjë e më e fortë. Gjakovarët në tri ndeshjet e para në pranverë arritën dy barazime dhe pësuan një humbje.

Pësuan në Mitrovicë nga kampioni në fuqi Trepça ’89 me rezultat 1:0, ndërsa në Gjakovë u ndanë baras (0:0) me Prishtinën dhe në Gjilan u kthyen me një pikë, ku barazuan 1:1 me Dritën.

Futbollistët gjakovarë ishin më të suksesshëm se Drita në Gjilan edhe në ndeshjen për Kupë, ku me penallti e mundën me rezultat 6:5, pasi takimi pas 120 minutave kishte përfunduar baras (2:2). Vula shpreh bindjen se do t’i ikin barazhit. Ai e ka fokusin për ndeshjen e të dielës (13.00), ku e presin rivalin e vjetër Flamurtarin e Prishtinës.

“Bota sot”: Lekë, Vëllaznimi në gjysmëfinale takohet me Drenicën, e sheh shumë afër finales së Kupës së Kosovës?

Lekë Vula: Veç duhet shumë punë, na pret një rrugë e vështirë deri te finalja. Njëherë mendojmë për gjysmëfinale.

“Bota sot”: Vëllaznimi është në zonën e mbijetesës, do t'i ikë barazhit dhe ku besoni më shumë?

Lekë Vula: Besoj shumë që do t’i ikim barazhit se nuk e meritojmë at pozitë ku jemi.

“Bota sot”: Të dielën kundër Flamurtarit, sfidë e vështirë, a shpresoni në tri pikë?

Lekë Vula: Kundër Flamurtarit veç jemi të qetë dhe besoj që gjithçka shkon mirë. Nuk duhet me menduar lojën e fundit me Flamurtarin.

“Bota sot”: Në tri ndeshjet e para, dy barazime e një humbje, baras (0:0) me Prishtinën dhe (1:1) me Dritën, ndërsa u mundët me 1:0 nga Trepça '89, merituat me shumë pikë?

Lekë Vula: Mendoj që jemi kallëzuar ekip i fortë edhe pse kemi luajtur me ekipe të forta në këto ndeshjet e fundit.

“Bota sot”: A është tifozeria 'Kuqezinjtë e Jakovës' edhe një motiv shtesë për ekipin?

Lekë Vula: Sigurisht kuqezinjtë edhe 1927 janë shumë motiv për ne.

“Bota sot”: Çfarë i mungon Vëllaznimit?

Lekë Vula: Vëllaznimi po rritet në të gjitha aspektet, veç kohë na duhet.

“Bota sot”: Me ardhjen president të klubit të Agim Canës është më mirë në përgjithësi?

Lekë Vula: Po, ka kohë që Vëllaznimi nuk ka pasur njerëz kaq të drejt e profesional dhe po ndihmon shumë drejt rrugës së suksesit.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh në garë të fortë për titull e cilat për barazh?

Lekë Vula: Për titull i shoh Prishtinën, Dritën dhe besoj për barazh është Gjilani ose Liria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat