Trajnerët e Shqipërisë po gjejnë punë në Kosovë

Futboll

Trajnerët e Shqipërisë po gjejnë punë në Kosovë

Nga: Kemajl Goca Më: 21 mars 2018 Në ora: 11:16
Sulejman Starova

Për herë të parë në historinë e futbollit të Kosovës, pothuajse gjysma e skuadrave të elitës tani kanë trajnerët nga Shqipëria. Madje kanë emra të mëdhenj në radhët e tyre, duke u nisur nga i mirënjohuri Mirel Josa që me sukses drejton klubin me renome Prishtina, pastaj Bledi Shkëmbi që udhëheq Lirinë nga Prizreni, pastaj Gugash Magani në krye të kampionit në fuqi Trepçën ’89 nga Mitrovica. Së fundi vjen edhe i mirënjohuri Sulejman Starova në Feronikelin e Drenasit. Të gjithë këta trajnerë luftojnë për titullin e kampionit. 

Josa me Prishtinën është në vend të dytë me 43 pikë, ka një me pak se Drita e Gjilanit, ndërsa Shkëmbi me Lirinë në pozitën e tretë me 41 pikë, tri më shumë se Feronikeli i Starovës, që renditet në vend të katërt. Magani me Trepçën ’89 është në vend të gjashtë me 36 sosh. Trajnerët nga Shqipëria po gjejnë punë në Kosovë dhe nuk do të shkojë kohë e largët, elita do të dominohet nga trajnerët e Shqipërisë, e cila është një sinjal shumë pozitiv dhe kjo dëshmon bashkëpunimin e jashtëzakonshme mes klubeve Kosovë-Shqipëri.

Kush janë trajnerët në Kosovë? Bekim Isufi me Dritën, Tahir Batatina me Llapin, Arbnor Morina me Gjilanin, Agron Selmani me Vllazninë, Arsim Gojani me Vëllaznimin, Sadat Pajaziti me Drenicën, Valdet Shoshi me Besën dhe trajneri nga Maqedonia Gajur Rexhepi me Flamurtarin. Katër trajnerë nga Shqipëria dhe një nga Maqedonia drejtojnë klubet e Superligës, 7 janë të Kosovës.  Në fakt tani do të kemi derbi mes trajnerëve të Shqipërisë dhe secili synon të jetë më lartë apo ta fitojë titullin e kampionit. Kjo është një mrekulli që ndodhë në futbollin e Kosovës sepse klubet po investojnë shumë.  E dhimbshme është se në Kosovë kemi trajner të papunë dhe që kanë dhënë shumë, janë shquar me suksese si Afrim Tovërlani, pa e harruar edhe Hysni Maxhunin e shumë trajnerë të tjerë.

Ardhja e trajnerëve nga Shqipëria, si Josa e Starova, që kanë një bagazh të madh dhe një përvojë të jashtëzakonshme në rrafshin ndërkombëtar, sjellë një frymë të re në futbollin tonë. Prandaj, elita e Kosovës tani po ballafaqohet me përvoja të ndryshme dhe që do ta rrisë edhe nivelin e saj. Investimet në trajnerët e dëshmuar është e qëlluar dhe duhet t’i kemi pranë Shtabeve Teknike edhe shumë trajnerë që kemi brenda në vendin tonë sepse do të jenë në favor të vetë klubeve. Kosova është në rrugën e duhur, në rrugën e rritjes së nivelit dhe me kalimin e kohës pritet të investohet edhe në prurje më cilësore të lojtarëve nga jashtë. Kosova duhet ta ndjekin modelin e Skënderbeut nga Korça, e cila dy herë ka qenë në fazën e grupeve të Europa League, pa e lënë anash edhe Kukësin dhe Partizanin e Tiranës, që kanë investuar në vitet e fundit, si dhe shembulli tjetër më i mirë është edhe Shkëndija nga Tetova, që është shumë afër titullit të kampionit në Maqedoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat