Pacult: Ndaj Flamurtarit, një nga finalet e mbetura të kampionatit!

Futboll

Pacult: Ndaj Flamurtarit, një nga finalet e mbetura të kampionatit!

Më: 30 mars 2018 Në ora: 16:15
Pamje nga konferenca për media

Flamurtari-Kukësi është kryesfida e javës së 27-të të Superiores. Verilindorët e vendit të dytë synojnë Kupat e Europës, ashtu si edhe vlonjatët, që janë më poshtë në klasifikimin aktual të Superiores. Ballafaqimi direkt i kësaj fundjave mund t’i pozicionojë edhe më qartë në raport me këtë objektiv të dyja skuadrat. Në konferencën e sotme për shtyp, trajneri austriak i kampionëve të vendit në fuqi, Peter Pacult, ka folur për sfidën me Flamurtarin, dënimin e Skënderbeut nga UEFA dhe mundësinë e largimit të sulmuesit Sindrit Guri. Ai ka nënvizuar:

“Ndeshje mjaft e rëndësishme kjo e radhës, ndaj Flamurtarit. Sidoqoftë, mendoj se deri në fund do të kemi edhe shumë finale të tjera. Pra, nuk është vetëm nesër një finale. Luajmë ndaj një rivali direkt dhe duhet ta ruajmë diferencën aty ku e kemi. Duke parë edhe tabelën e klasifikimit, duke ditur se Flamurtari ishte i dyti e tani është 8 pikë pas nesh, them që vlonjatët do të jenë kërkuesit e rezultatit maksimal. Nga ana tjetër, maksimumin kërkojmë edhe ne. Do të tentojmë që nesër të ruajmë distancën me Flamurtarin, ose ta thellojmë. Kundërshtarit i janë rikthyer lojtarë me peshë nga dëmtimet. Te Kukësi nuk kemi shumë lojtarë në dispozicion, siç kanë ekipet tjera, ndaj në kësi ndeshjesh do të shihet së kush ka pasur favorizim nga situata e fundit.

Asgjë nuk mund të cilësohet e përfunduar dhe, pavarësisht se është mirë ta mendojmë vendin e dytë dhe Championsin, është herët për të folur. Siç e thotë edhe shprehja, “peshku në det dhe tigani në zjarr”. Dënimi i Skënderbeut? Është marrë një vendim, por priten edhe të tjerë. Më e mira për ne është të mbajmë vendin e dytë, pavarësisht vendimeve për të tjerët. Duhet të tentojmë të mbajmë vendin e dytë, deri në fund duhet të rrimë këtu ku jemi. Për këtë duhet të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje. A do të largohet Guri? Sulmuesi ynë nuk ka asnjë mundësi të largohet në këtë pikë të kampionatit. Për të tjerat do të flitet kur të hapet merkatoja”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat