Del Piero: Nuk e kuptova Buffonin! Në futboll analizohet momenti, jo e kaluara!

Futboll

Del Piero: Nuk e kuptova Buffonin! Në futboll analizohet momenti, jo e kaluara!

Më: 12 prill 2018 Në ora: 12:13
Alessandro Del Piero

Penalltia e akorduar, në mënyrë të diskutueshme, në minutën e 93-të të sfidës së mbrëmshme në “Bernabeu”, mes Realit të Madridit dhe Juventusit, bëri që portieri i bardhezinjve të protestonte ashpër ndaj arbitrit të ndeshjes, gjest për të cilin u ndëshkua me karton të kuq.

Por, çfarë i tha Buffoni arbitrit anglez, Oliver, dhe a ishte e drejtë një protestë e atillë, për më tepër nga një futbollist veteran që ka shumë vite mbi shpatullat e tij?

Ndeshja e kthimit, pikërisht ajo e penalizoi Buffonin! Pas eliminimit nga çerekfinalet e Championsit dhe kontestimit të ashpër të penalltisë së akorduar Realit në minutat e fundit të kohës shtesë, Buffon iu drejtua me kritika arbitrimit të Oliverit, duke folur madje edhe për ndeshjen e parë në “Allianz Stadium”.

“Sigurisht që ishte një aksion i dyshimtë. Një aksion i dyshimtë madje në minutën e 93-të, duke ditur se në ndeshjen e parë nuk na dhanë një penallti të pastër në minutën e 95-të. Nuk mund të jesh kaq cinik sa të shkatërrosh një skuadër që ka dhënë gjithçka në fushë. Nuk është çështje di apo jo të arbitrosh, por mbi të gjitha duhej të kishe parë ndeshjen e parë, e ndoshta do të ishe më i qetë në këtë ndeshje kthimi për të vërshëllyer në mënyrë të drejtë”, do t’i thoshte Buffon arbitrit.

Por protesta e tij nuk është pritur mirë nga kushdo.

“Kur pashë Gigin t’i fliste arbitrit… Nuk po arrija të kuptoja, sinqerisht”. Këto janë fjalët e Alessandro Del Pieros, një ndër legjendat e Juventusit, të thëna pas përfundimit të ndeshjes Real-Juve. Duke ndërhyrë në transmetimin e drejtpërdrejtë të emisionit “L’Originale” të “Sky Sport”, ish-kapiteni i “Zonjës së vjetër” shtoi në një gjendje dukshëm i turpëruar.

“Nuk e kuptoj përse duhet t’i referohesh ndeshjes së parë…? Futbolli i tillë është dhe analizohet momenti, i mirë apo i keq qoftë ai. Besoj se pas disa ditësh, ai do të shprehet me fjalë të tjera ndaj arbitrit, ndryshe nga ato që tha në fushë e pas ndeshjes”, deklaroi Del Piero.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat