Yann Karamoh, kur anarkia mund të jetë një avantazh

Futboll

Yann Karamoh, kur anarkia mund të jetë një avantazh

Më: 19 prill 2018 Në ora: 22:41
Yann Karamoh

“Ndoshta duhet të kisha futur më herët Karamoh në fushë, jo në minutën e 90’. Mendoj se gabova në këtë rast”, deklaroi Spalletti në prag të ndeshjes me Cagliarin dhe menjëherë korrigjoi gabimin të martën në mbrëmje, duke aktivizuar që nga minuta e parë talentin francez.

Zbritje të shpejta, depërtime në zonë, shpërthime në krah, nisje aksionesh, teknikë, shpejtësi forcë, një traversë, një rast i shpërdoruar dhe një gol i anuluar për pozicion jashtë loje. Ky ishte përshkrimi i lojës së 19-vjeçarit, që në minutën e 72-të ngriti në këmbë të gjithë publikun e ‘San Siros’, që e duartrokitën gjatë, kur futbollisti la fushën e lojës, për t’i bërë vend Candrevës.

Në përfundim të takimit, Spalletti tha se Karamoh ka cilësi të jashtëzakonshme teknike dhe shpejtësi që mund të lërë pas çdo kundërshtar, por i mungon ajo disiplina taktike, aq shumë e dëshiruar veçanërisht nga trajnerët italianë. Gjithsesi, trajneri zikaltër la të kuptohet se Karamoh do të jetë një armë plus e këtij Interi, në sprintin final të kampionatit, për të siguruar një vend në zonën Champions.

Dhe duket se Spalletti ka të drejtë, pasi pikërisht ajo ‘anarki’ në fushë e Karamoh, e ka bërë manovrën sulmuese të Interit shumë më të paparashikueshme. Kjo gjë u pa qartë edhe ndaj Cagliarit, pasi sa herë që sulmuesi francez afrohej në zonë, lironte më shumë hapësira për Icardin. Edhe kur mbrojtësit e Cagliarit nuk i ndaheshin kapitenit të Interit, ishte pikërisht Karamoh që sulmonte hapësirat boshe në zonë dhe në dy raste mund të kishte shënuar golat që do ta ngrinin në piedestal. Rivali i tij në fushë, Candreva vështirë se do të vihej në kushte të tilla shënimi, pasi priret të shkojë sa më larg zonës, në krah, për të tentuar krosimin dhe kjo bën që Icardi të mbetet më i vetmuar në zonë dhe aksionet të jetë të parashikueshme lehtësisht nga kundërshtarët.

Në sfidën me Cagliarin, askush nuk e kishte parashikuar që Karamoh do të shkonte aq shpesh në zonë, ndaj edhe sulmuesi e pa veten 3 herë në pozicion goli, brenda 30 minutave të para. Gjithashtu, askush nuk e kishte parashikuar se pikërisht francezi do të spostohej në qendër dhe do të ‘peshkonte’ Rafinhën në zonë, në aksionin që solli golin e dytë. Për më tepër, numrat teknikë që Karamoh ofron në fushë, ndezin entuziazmin e tifozërisë, por edhe të shokëve të skuadrës, element ky mjaft i rëndësishëm për të sfiduar lodhjen e një sezoni të tërë dhe për të shkuar drejt fitores.

Është rasti pra, që pas Cancelos dhe Rafinhës, t’i takojë pikërisht Yann Karamohut të sjellë një risi në lojën e Interit, paparashikueshmërinë e rreshtimit dhe organizimit të manovrës sulmuese, që e bën më të lehtë dominimin e ndeshjeve dhe marrjen e fitoreve aq të domosdoshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat