Gjenerata e artë reagon ashpër kundër sulmeve ndaj Fadil Vokrrit

Futboll

Gjenerata e artë reagon ashpër kundër sulmeve ndaj Fadil Vokrrit

Nga: K. Goca Më: 23 maj 2018 Në ora: 13:37
Pamje nga konferenca

Sot ishin mbledhur shumë futbollistë e trajnerë të gjeneratës së artë të klubit Prishtina, për të shprehur mllefin e tyre ndaj sulmeve të paskrupullta që po i bëhen ish kapitenit të kësaj gjenerate Fadil Vokrrit. Në emër të tyre një reagim e lexoi ish trajneri Ajet Shosholli e në të cilin thuhet:

"Si njeri prej trajnerëve të parë të gjeneratës që solli gëzimin më të madh të adhuruesit e futbollit dhe me pëlqimin e tyre në emër të gjithë lojtarëve të dikurshëm dhe miqve të mijë të dikurshëm e të sotëm, dua të flasë në lidhje me zhvillimet e fundit në futbollin tonë.

Jemi mbledhur e kemi diskutuar dhe jemi thellësisht të zhgënjyer e të  indinjuar me ato që kemi dëgjuar e lexuar në media gjatë këtyre ditëve, me sjelljet e ish klubit tonë të cilin dikur e prezantonim me shumë krenari dhe në shumë shtet tjera përveç Kosovës. Jemi posaçërisht të indinjuar me akuzat që ish klubi ynë Prishtina po i bën në drejtim të kapitenit dhe ikonës së Prishtinës por edhe të futbollit tonë, z. Fadil Vokrri.

Është e pakuptimtë që kryesia aktuale e klubit që në fakt nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe me klubin e dikurshëm për çdo dështim të tyre mos të fajësojnë të tjerët dhe me këtë provojnë të manipulojnë opinion dhe çdo herë si fajtor kujdestar e gjejnë ish kapitenin tonë, Vokrrin, njeriun me të cilin krenoheshim jo vetëm ne po e tërë Kosova dhe më gjerë. Duam t’ua përkujtojmë  këtyre zotërinjve që nuk  kanë shumë lidhje me emrin e vërtet të Prishtinës e aq më pak me futbollin, duhet ta dinë që klubi i Prishtinës është themeluar në vitin 1922 e jo në vitin 2006. Prishtina ka ekzistuar madje shumë më i suksesshëm shumë kohë para tyre, por asnjëherë nuk ka pasur qëllim që për dështimet e saj gjithmonë të fajësojë dike tjetër ., siç po e bëjnë këta zotërinj tani.

Në vitet e ish e Jugosllavisë, klubi ynë është përballur kundër një sistemi të tërë që ka provuar ta pengojë në çdo segment, por kemi luajtur e ua kemi mbyllur gojën me futboll dhe nuk jemi ankuar edhe pse atë kohë kemi pasur shumë arsye, për dallim prej tash kur nuk ekziston as arsyeja më e vogël për të ndjellë luftë të tillë, për të përgatitur skenarë të tilla, sidomos ndaj një njeriu që e ka ngritur lartë e më lartë emrin e Prishtinës ndër vite.

Ju po e manipuloni opinionin në çdo mënyrë, si do që të jetë kemi vetëm një pyetje për ju? Pse në rrethin tuaj nuk është asnjë prej ish futbollistëve të klubit, as një prej ish pjesëtarëve të gjeneratës së artë. Si keni sabotuar të gjithë, si i keni larguar nga klubi të gjithë, Vokrrin, Muriqin, Cimilin, Rugovën, Krasniqin, Shalën. Shengylin, Sinanin e shumë të tjerë me radhë. Mbase njohuria dhe përvoja e tyre në futboll u ka penguar që të zbatoni planet e juaja për të përfituar materialisht e për të bërë emër në krah të klubit tonë!!??

Po e shohim që publiku prishtinas është manipuluar deri në një masë, por ka filluar të kuptojë të vërteten, ka nisur të njoh më mirë këta individë që deri sa kanë ardhur në klubin e Prishtinës kurrë në jetën e tyre nuk kanë pasur asnjë lidhje me futbollin. Publiku prishtinas duhet ta kuptojë pse klubi ynë gjithnjë e më shumë e ka humbur respektin dhe përkrahjen pothuajse çdo kund në Kosovë? Pse keni krijuar kaq shumë armiq në tërë vendin. Apo ndoshta të gjithë janë të këqinj  e vetëm ju jeni engjëjt e këtij futbolli. Para se ta mbyllim këtë reagim në emër të ish pjesëtarëve të gjeneratës së artë, si një njeri me shumë përvojë në futboll, për dallim prej zyrtarëve të klubit të cilëve përvoja u mungon komplet, dua të them se secilit prej nesh i dhemb ta shoh Prishtinën në këtë situatë, prandaj përkundër të gjithave i sugjerojmë  klubit tonë që në vend se të merret me insinuata e me përgatitjen e skenarëve për të ofenduar e akuzuar të tjerët, të merret me organizimin më të mirë të klubit e ta kthej klubin Prishtina në vendin që i takon.

Titulli i kampionit në Kosovës as duhet të diskutohet, por duhet të mëtohen sukseset edhe në  Evropë, atje ku tani luajmë e sidomos falë punës e angazhimit të njeriut, të cilin sot Prishtina e ka si fajtor kujdestar për dështimet e saj, kryetarit të Federatës së Futbollit të ish bashkëlojtarit tonë, Fadil Vokrrit".

Kështu përfundon reagimi plotë pezëm ndaj kritikave që po i bëhen legjendës së futbollit të Kosovës. Fadil Vokrri por dhe ndaj gjendjes në klubin kryeqytetas. Në konferencë ishin:  Shefqet Sinani, Isa Sadriu, Ramiz Krasniqi, Agim Cana, Ajet Shosholli, Sahit Kelmendi, Ramadan Cimili, Jusuf Tortoshi dhe Muharrem Sahiti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat