Shkëndija u tregua “përvëluese” për maqedonët

Futboll

Shkëndija u tregua “përvëluese” për maqedonët

Nga: Kemajl Goca Më: 27 maj 2018 Në ora: 17:30
Shkëndija

Shkëndija nga Tetova mblodhi të gjitha trofetë e mundshme gjatë këtij edicioni në Maqedoni. Shkëndija është kampion dhe fitues i Kupës së Maqedonisë, po ashtu Bessart Ibraimi shënuesi më i mirë me 23 gola, një më shumë se bashkëlojtari i tij, kapiteni Ferhan Hasani. Gjithçka kaloi në shenjë të skuadrës shqiptare mbase ka thyer edhe rekordin sa i përket shënimit të golave gjithashtu është skuadra e parë në histori të kampionatit që renditet në vend të parë me një epërsi bindëse, 35 pikë ndaj vendit të dytë.  Shkëndija zuri vendin e parë me 91 pikë, dukë lënë pas Vardarin (56). Karakteristikë tjetër është se ka shënuar 101 gola për 36 ndeshje dhe pësuan 27 sosh. Nga 36 ndeshje ka realizuar 29 fitore, 4 barazime e pësuan 3 humbje, si dhe në finalen e Kupës e ka demoluar me rezultat 3:0 Pelisterin nga Manastiri.

Skuadra tetovare është treguar përvëluese për ekipet maqedone, përgatitet tani për garat kualifikuese të Champions League.   Trajneri Qatip Osmani ka bërë punë të madhe dhe ka ndërtuar ekip kompakte, që solli edhe frytet e saja.  Zëdhënësi i klubit, Faton Zylbehari, tha se është kënaqësi të triumfosh aq bindës në kampionat po ashtu edhe në finale të Kupës. “Të fitosh është një gjë, por ta bësh në këtë mënyrë kaq bindëse është diçka e rrallë për çka nuk mund të krenohen shumë klube. Fakti që media prestigjioze e përmendin suksesin e Shkëndijës në nivele europiane në aspekt të diferencës më të madhe që ka ndodhur ndonjë herë në një kampionat flet qartë për sezonin që la pas Shkëndija. Ky është sport kolektiv dhe sigurisht se merita është e të gjithëve.

Image

Faton Zylbehari

Rezultatin e sollën ata që luajnë në fushë, futbollistët, stafi teknik, publiku me përkrahjen e madhe kishte ndikim të madh, por realisht gjithë bashkë mbase nuk do të ishim në këtë skuadër nëse nuk do të ishte sponsori ‘Ecolog’ që investoi për të arritur këto nivele. Normal meritorë janë gjithë kryesitë prej kur kjo kompani mori nën menaxhim Shkëndijën, me atë që kryesia aktuale bëri disa lëvizje të mençura dhe të qëlluara që rezultuan të kemi këto arritje”, tha Zylbehari për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Çfarë do të bëjë tash Shkëndija pas përfundimit të edicionit, do të vazhdojë me përgatitje për kualifikimet për Champions League? “Pas një sezoni të lodhshëm dhe intensiv mendoj se të gjithë kanë nevojë për pushim, për të mbushur bateritë për atë që pason. Stafi teknik ka paraparë planin përgatitor, natyrisht do të ketë edhe risi për të cilat do të njoftojmë në kohë reale dhe në fund varet edhe nga fati që do të kemi në short. Niveli i kundërshtarit që do të përcaktojë shorti do të na jep pasqyrë fillestare në drejtim të ambicieve në Ligën e Kampionëve, gjithnjë me UEFA Europa League që do të jetë opsion shtesë.

Dy vitet e kaluara kemi ecur shumë mirë në Europë duke prekur play-offin dhe vlerësoj se ekipi ka përvojën e mjaftueshme në ndeshjet ndërkombëtare, me atë që përsëris se shumë gjëra varen nga emrat e rivalëve që në Champions janë shumë më të vështirë”, ka thënë Zylbehari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat