Më së fundi Franca –Mis Bota (1998)

Futboll

Më së fundi Franca –Mis Bota (1998)

Nga: Skifter Këllici Më: 8 qershor 2018 Në ora: 15:43
Franca 1998

88 vjet rreth planetit te futbollit (1930-2018) - 16

Siç e kemi parë, në ndeshjen përmbyllëse të Botërorit ’38, të zhvilluar në Paris, duke u ulur në tribunë pranë presidentit të FIFA-së, Zhyl  Rime, presidenti i Francës, Lebrun, e pati pyetur: ”Cilët janë francezët në fushë?”, duke dëshmuar se nuk kishte fare haber nga futbolli. Dhe Rimeja, bashkatdhetar i tij, i befasuar nga ky budallallëk më brirë i kokës më të madhe të vendit të tij, që nuk dinte se në fushë do të përlesheshin Italia me Hungarinë, ndonëse në siklet të madh,  tak-fak, kishte gjëtur xhevapin më të bukur:” Francezët, zoti president, i prezanton …gjyqtari”,  dhe kishte zgjatur dorën  nga  Kapdevili në qendër të fushës ,që për fatin e tij  të mirë qe… francez!

Por  le të hamendësojmë  se po këta  dy presidentë   të ndodheshin  60 vjet më pas më 11 korrik të vitit 1998 në stadiumin e mahnitshëm “Park de Prens” të Parisit!. .Atëherë Rimeja asaj pyetjeje absurde të Lëbrunit  do t’i ishte përgjigjur: ”Francezët, zoti president, janë ata nga e majta, të veshur me fanella trengjyrëshe”.

Dhe duhet thënë se këta trengjyrësh, siç njihen në botën sportive, jo vetëm që arritën të luanin  në finale,  por edhe mundën  të mposhtnin Brazilin e madh me rezultatin  3-0, pa i lënë shteg asnjë diskutimi.

Por le ta lemë një çast këtë finale…

Më 20 prill të vitit 1998, pra disa javë para Botërorit Francë ’98 ,doli nga shtypi libri im” Yjet e futbollit botëror”. Më 1987 “Vjetari i futbollit Evropian”1987-1988”, (”The Europen Football Yerbook”), ku unë, si dhe vite më pas, kisha shkruar kapitullin që i kushtohej Shqipërisë,  ishte përuruar në stadiumin “Uembli”   të Londrës ,gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare të Anglisë me një skuadër tjetër.

    Mendova që edhe me këtë libër të veprohej po kështu. Por, nga indiferenca dhe mefshtësia e zyrtarëve të atëhershëm të FSHF-së,  përurim i librit të mësipërm, në prag të këtij botërori, ku merrte pjesë  edhe Shqipëria, që kisha propozuar të bëhej para një ndeshjeje në  stadiumin”Qemal Stafa”, nuk u sendzua.

    I befasuar, në intervalin e  ndeshjes në fjalë, bisedova me radiokronistin që po e komentonte atë për emisionin e njohur “Nga një ndeshje në tjetrën”.. Por sapo ai i gjori  zuri të thoshte:”… Ndërkohë në stadium po qarkullon libri “Yjet e futbollit botëror”,  shkruar nga kolegu ynë…”, nga studioja qendrore drejtuesi i këtij emisionit  e ndërpreu në mënyrën më vulgare, thua se në mikrofon po reklamohej ndonjë libër për rritjen e… gomerëve.

   Po vazhdoj me një qyfyr tjetër. Nëse në botërorët e mëparshëm “kryekomentatori”, siç kam shkruar, më kishte treguar “kufirin deri te thana”, duke më caktuar t’i komentoja ndeshjet sipas tekave të tij, dhe finalet vetëm ai, që dinte vetëm  aty-këtu ca llafe… “italianisht”,  për të përkthyer zërin e telekronistit të RAI-t, prej të cilit  merreshin  transmetimet e TVSH-së, këtë botëror ai më fshiu fare nga tefteri, duke gjetur bashkëpunimin e një farë  “asistentkryekometatori”,i cili as pretendonte të bënte telekronistin sportiv, sepse  pohonte  se nuk dinte…

 

Sidoqoftë, u ftova nga  TV “Klani” dhe TV Shijaku, por parapëlqeva të komentoja nga televizioni modest “Nesër”, që ndodhej jo shumë larg pallatit ku banoja.

Botërori “Francë ’98” përfshiu jo më 24, por 32 skuadra, pra 8 më shumë, kryesisht nga Azia dhe Afrika dhe Amerika Latine, të ndara në 8 grupe, nga 4 secila, nga të cilat kualifikoheshin dy skuadra për çdo grup, pra 16, që me sistem mënjanimi do të vazhdonin betejën për titull.

Këto 32 finaliste dolën nga 172 përfaqësuese vendesh nga të gjitha kontinentet e botës, ku përfshiheshin edhe skuadra   të ish-republikave  të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik.

Prej 8 qershorit deri më 12 korrik të vitit 1998 këto ndeshje  u zhvilluan    në stadiumet  e Parisit, Lensit, Sen Denisë, Nantës, Lionit, Bordosë, Sen- Etienit, Tuluzës, Monpljesë dhe Marsejës.

Në rast se ndeshjet në fazën e dytë me mënjanim  përfundonin  në barazim, akordohej  shtesa 2x15 minuta; dhe në rast se njera  skuadër shënonte, vihej në jetë  ajo që u mbiquajt” golden goal”, (goli i artë) ,pas të cilit loja ndërpritej dhe ajo shpallej fituese.

Ky rregull më pas u hoq, sepse ishte absurde që një skuadër që gjatë shtesës krijonte epërsi dhe ndodhej pranë golit, për një gabim të rastësishëm dënohej me këtë “golden goal”, në një kohë që deri në fund të shtesës ose me 11-metërsha mund edhe ta fitonte ndeshjen.

Është interesante të vëmë në dukje se rregullën e gjuajtjeve të 11-metërshave ,si dhe  të “golden goalit” me propozimin e komentatorit të madh Anton Mazreku, që së bashku me komentatorin e madh italian e kam pasur personazh të botërorëve të botuar në numrat e mëparshëm të kësaj gazete,  e kishte vënë në jetë Federata Shqiptare e Futbollit  që më 1961!

Dhe kjo pas shtesës së tretë prej 15 minutash në takimin Partizani-Dinamo, finale e kampionatit kombëtar në korrik të vitit 1961; kurse   të serisë së 11-metërshave në takimin final të Kupës së Republikës, në pranverë të vitit 1962, në takimin midis “Besës” dhe “17 Nëntorit” në Kavajë, fituar nga skuadra tiranase.

Do të kalonin  më shumë se 10 vjet që së pari UEFA dhe pastaj FIFA të vinin në zbatim rregullat e lartpërmendura.   

Gjatë ndeshjeve në grupe nuk pati të papritura të mëdha. Ve$ bëri përshtypje mënjanimi i Kamerunit  që në fazën e parë, madje në vendin e fundit në grupin, ku ve$ asaj bënin pjesë Italia, Kili dhe Austria.

Luanët kamerunas arritën të grumbullonin vetëm 2 pikë, (dy barazime me Kilin dhe Austrinë 1-1) dhe u kthyen në shtëpi. Rozher Milla, legjenda e futbollit kameruas, që e kemi përmendur në pjesët e kaluara, duke ndjekur këto ndeshje të luanëve të mplakur si ai, kujtonte fitoren e  bujshme kundër Argjentinës së Maradonës dhe humbjen e tyre naive me Anglinë në Botërorin ’90 , në Itali, kur, duke udhëhequr 2-1, dhe duke u ndodhur një hap larg gjysmëfinaleve, me shtesë i kishin hapur rrugë  Anglisë, 2-3. Kujtonte edhe golin e vetëm kundër Rusisë, të humbur 1-6, katër vjet të shkuara në Amerikë, gol  që e kishte shënuar ai kur kishte qenë 42 vjeç, pra futbollisti më i moçëm i të gjithë botërorëve.

Por, si të hakmerrej për këtë që u ndodhi kamerunasve  të Millas, Nigeria në grupin e vet mposhti Spanjën, një ndër gjigandët e futbollit evropian, Bullgarinë e vendi të tretë në botërorin e fundit dhe, pavarësisht se humbi takimin e fundit me Paraguain, zuri vendin e parë në grup. U mund  në çerekfnale, 4-1, nga Danimarka, por këto shifra nuk dëshmojnë lojën që shpalosën në këtë takim.

   Në  fazën e  1/8 të finaleve  u regjistruan ndeshje që i mbajtën shikuesit me frymën pezull: Argjentina gjunjëzoi Anglinë, 4-3, me 11-metërsha,kur pas kohës së rregullt rezultati ishte 2-2, në një ndeshje ku anglezët humbën shumë raste.

Rumania që ishte mënjanuar vetëm me 11-metërsha nga Suedia në çerekfinalet e botërorit amerikan, u mund nga një Kroaci që do të ngrihej edhe më lart se ajo dhe Bullgaria, duke zëne vendi e tretë  në Francë ‘98.

Keq po u shkonin punët gjermanëve në takimin me Meksikën. Pas golit të Hernandesit, Arelano mund të kishte dyfishuar rezultatin.  Vetëm gjakftohtësia e Klinsmanit dhe Birhofit i dha mundësi Gjermanisë të fitonte 2-1. Franca arriti të kalonte në çerekfinlae, falë golit të mbrojtësit Blank në minutën e 113-të, pas  një ndeshjeje shumë të mërzitshme.

Vazhdonin çuditë e Kroacisë. Gjermanëve në takimin me të nuk u eci si me meksikanasit, sepse pas golit të parë të Jarnit, kroatët shënuan të dytin dhe pastaj të tretin duke i lënë kundërshtarët të shkordhur: 3-0.

Një “de profundis” për  tri herë kampionët e botës. Një humbje kaq e rëndë nuk u kishte ndodhur as më në Botërorin “Suedi 1958”, ku, vërtet kishin humbur 6-3   për vendin e tretë, por, ama, kishin shënuar tre gola!..

Franca u dhuroi tifozëve të vet  një tjetër ndeshje me.. kokëdhëmbje. Këtë radhë me Italinë. Përsëri 120 minuta sin ë  “netët pambarimisht të bardha nordike”. Ashtu si    me Paraguain… 0-0. Nuk duket ndonjë Blank gjëkundi për të shënuar një “golden goal”, pra golin e artë që t’i japë fund kësaj maratone .

Por pastaj me 11-metërsha francezët kapërcejnë  …greminën , falë edhe një goditjeje penalltie, e fundit, ku  italiani Di Biaxho  vulos traun, si të linte atje kujtimin   e  trishtë të lamtumirës në këtë botëror .

Si për “induksion magnetik” edhe takimi i Brazilit me Hollandën e tulipanëve , e cila në çerekfinale kishte mënjanuar në një takim drithërues Argjentinën 2-1,  shkon  drejt 11-metërshave. Në goditjet e fundit Dunga   dhe Emersoni shënojnë, kurse Koku dhe R.De Boeri me gjuajtjet e tyre u dërgojnë “të fala”  shikuesve në stadium. 4-2 fitojnë brazilianët.

   Kësisoj francezët, duke u kacavjerrë me shtesa të stërëmndishme  arritën  deri në gjysmëfinale. Me stërmundim e nisën lojën edhe me Kroacinë, pasi “gjahtari” Shuker goditi në shenjë. Për disa minuta ata  mbështolli paniku. Por pas një gabimi të Bobanit mbrojtësi Turam, ua solli shpirtin në vend, duke barazuar. Të tëra këto ndodhën në minutat e para të pjesë së dytë.

  Aty nga gjysma e dytë e kësaj pjese ishte përsëri Turami, që pas një trysnie të vazhdueshme  u dha francezëve një fitore shumë të vuajtur, por dhe   të merituar.

     Duhet thëne Botërori Francë ’98, veç TVSH-së  u transmëtua thuajse nga të gjitha stacionet e tjera televizive. Ishte krijuar kështu  një farë gare e heshtur midis tyre. Një mëngjes, kur po bisedoja me një shok te kafeneja “Loro Boriçi”, që ndodhej pranë stadiumit “Qemal Stafa”, një gazetar i TVSH-së nga larg më uroi për komentet e mi te TV “Nesër”.

”Ne ty të ndjekim, paçka se i transmetojmë vetë në TVSH ndeshjet e botërorit,-më tha. ”Përcillja këto fjalë atij”,(dhe përmenda emrin e kryekomentatorit.”, qe përgjigja ime shpotitëse.

 Vimë kështu në ndeshjen finale, Brazil-Francë. Francezët nga hap pas hapi luajtën me ritmin gjithnjë në rritje- “crescendo” dhe zhvilluan një nga ndeshjet më të mira në historinë e futbollit të tyre. Dhe fituan 3-0, me gola  të Zidanit ,(2),  Pëtitit, edhepse në 20 minutat e fundit mbetën ne 10 futbollistë.

Para fillimit të takimit, kur ekipi brazilian ndodhej në hotel, Ronaldo pati një krizë  të fortë, u zbeh pastaj  u nxi në fytyrë  dhe buzët i shkumbëzuan. Por shpejt gjithçka kaloi dhe ai doli në fushë. Mbase nuk luajti shumë mirë, (sepse e mbuluan në çdo çast), por kjo nuk ndikoi në humbjen e brazialianëve, të cilën e pranoi hapur edhe trajneri i tyre, i famshmi Zagalo, ish- kampion i  botës në 1958 dhe 1962.

Kështu Franca, 60 vjet pasi kishte qenë zonja pritëse e  një botërori pa trofe, më së fundi vinte në kokë kurorën e mis Botës 1998.

Tani të vimë te përgjigja që më pati dhënë një nga drejtuesit kryesorë të  RTVSH-së, kur e pata pyetur më 1987 se përse më kishin  hequr nga drejtimi i “Rubrikës sportive” në TVSH,  si dhe nga komentet e botërorëve të futbollit, për të cilat kam shkruar në fund të pjesës së 15-të.

”Ishte urdhëri i vetë presidentit, pra Ramiz Alisë”,- mu përgjigj.(Mendoni se çdo të ndodhte sikur presidenti italian ose amerikan t’i  telefononte  RAI-it, ose CCN-së  për një problem të tillë. Drejtuesit e këtyre televizioneve do t’u ishin përgjigjur:

”Ju lutem, zoti president, mos u ngatërroni në punët tona”.

Edhe sikur të mos i besoja atëherë kësaj përgjigjeje, do të bindesha  kur më 1996 në faqet e librin “Dera e pasme e shtypit”  të publicistit të njohur, Marash Hajati, ish-drejtor i përgjithshëm i RTVSH-së në vitet ’80 të shekullit  të kaluar, lexova këto radhë që më përkisnin mua:

”Si komentator ka pasur specifikën e tij.Me një horizont njohës të admirueshëm, shtrihej gjerë në temën e transmetimit. Mirëpo dikujt andej lart kjo herë i pëlqente dhe herë jo.Aq herë edhe komentatori shkarkohej e ngarkohej me këtë detyrë,” (faqe 91).

Sidoqoftë, duhej të isha “krenar” që “koka”  më e madhe e shtetit shqiptar,midis tërë atyre derteve qe kishte populli në vitet 1980-90, i cili  priste qe me natë në radhët pa mbarim për një pako mish, gjalpë, ca kokrra vezë,…kishte gjetur kohë të merrej edhe me mua, një komentator sportiv! Kësaj goditjeje nga maja e kupolës së kuqe nuk kisha ç’t’i bëja. Por as goditjeve të liputëve të mikrofonit dhe kamerës  sportive, pra të “kryekomentatorit”, që vazhdonte të vuante nga kompleksi  inferioritetit dhe zilia, nakari …

 Nga tabela e rezultateve

1/8 e finaleve

Brazil-Kili  4-1

Nigeri -Danimarkë 1-4

Holandë-Jugosllavi 2-1

Argjentinë-Angli 2-2,(4-3, me shtesë dhe 11-metërsha)

Itali-Norvegji 1-0

Francë- Paraguai-1-0,(113’,gjatë shtesës)

Gjermani-Meksikë 2-1

Rumani-Kroaci 0-1

¼ e finaleve

Brazil-Danimarkë 3-2

Holandë-Argjentinë 2-1

Itali-Francë 0-0,(3-4, me shtesë dhe 11- metërsha)

Gjermani-Kroaci 0-3

½ finaleve

Brazil-Holandë 1-1,(4-2, me shtesë dhe 11-metërsha )

Francë-Kroaci 2-1

Finale për vendin e tretë

Kroaci-Holandë 2-1

Finale,11 korrik 1998,stadiumi “Park de Prens” Paris,shikues 80.000, gjyqtar Belkola (Marok)

Francë_-Brazil 3-0; shënues,(Zidan,(27,45+1,Pëti,(90+3)

Franca- Martez, Turam, Dezai, Lebuf, Lizarazu, Deshamps, Pëti, Karembeu, Zidan, Zhorkaef, Guivak

Brazili-Tafarel, Kafu, Aldair, Baiano, R.Karlos, Sampaio, Dunga, Leonardo, Rivaldo, Baeto, Ronald

Golshënuesi më mirë- Shuker, (Kroaci) 6 gola

Futbollisti më i mirë i Botërorit ’98- Ronaldo,(Brazil)

Ndeshje- 64

Gola- 171

Shikues- 2.785.100, (43.517 për ndeshje)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat