Përjetësinë tënde do ta lakmonte shumëkush! - Bota Sot
Përjetësinë tënde do ta lakmonte shumëkush!

Futboll

E enjte, 16 gusht 2018

Përjetësinë tënde do ta lakmonte shumëkush!

Nga: Agim Ademi Më: 13 qershor 2018 Në ora: 18:32
Agim Ademi e Fadil Vokrri

Ka kohë që lajm më trishtues nuk pasur se sa lajmi për ikjen tënde president Fadil Vokrri. Dhe dhembja pllakosi botën shqiptare e jo vetëm. Të gjithë me lot në sy po thonë se legjendat nuk vdesin, por mua këtë ma sforcoi lumi i madh i njerëzve që erdhën për ngushëllime, të cilët po shfaqeshin të përlotur e me zemra të thyera, por gjithsesi duke i dhënë kurajë familjes dhe bashkëpunëtorëve tu.

Pa dashtas dhe pahetueshëm sikur bëhesha xheloz sepse me dukej sikur donin të të rrëmbenin nga ne, por gjithsesi kjo ishte vetëm ndjenjë e imja sepse ata vinin për të marrë pakëz nga dhembja jonë e madhe. Dhe thonë se kur njeriu ka shumë dashuri dhe e ndanë me të tjerët atëherë ajo dashuri rritet, ndërsa kur ke dhembje të madhe dhe e ndanë me të tjerët kjo dhembje zvogëlohet. Të njoha si futbollistë emblematik dhe ndjehesha krenar si gjithë shqiptarët për Ty miku im Fadil Vokrri, por prej kur e more drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës kjo u forcua me një bashkëpunim.

Dhe mbase askush si unë nuk e patën fatin të jetë bashkëpunëtor i yti dhe ky ishte një privilegj për mua dhe kaq vite punuam sikur një trup në harmoni të plotë. Dhe kjo bëri që lajmi për ikjen tënde për në botën tjetër ishte një trishtim për mua dhe shembi të gjithë botën mbi mua. Por, trishtimi e makthi as pas shatë dite nuk po me hiqet dhe sa do që njerëzit i dëgjojë duke na ngushëlluar unë assesi, nuk po besoj në ikjen tënde.  Për  kaq vite asnjëherë nuk mbajë mend se jemi konfrontuar, mbase edhe për arsyen sepse gjithmonë gjeje e dije të bëje zgjedhjen e duhur për çdo kohë dhe çdo situatë.

Me butësinë, urtësinë dhe modestinë tënde i çarmatosje njerëzit, i bëje për vete dhe armikun e ktheje në mik. Këto  virtyte rrallë kush i posedonte, veç atyre që perëndia ua kishte dhuruar si dhunti të veçantë.  Duke qenë afër teje kaq vite shumëçka mësova nga Ti, ndaj do ta kem shumë, shumë të vështirë të rrugëtojë pa Ty, por lutem që nga qielli lartë të jesh ylli jonë mbrojtës, sikur që lutem të na jep zoti fuqi ta trashëgiminë tënde që na le në përkujdesje. Por, gjithsesi pusho i qetë se unë she bashkëpunëtorët e tjerë do të bëjmë çmos që ta vazhdojmë me vizionin tënd për kultivimin dhe zhvillimin e futbollit të Kosovës. Këtë ja kemi vënë detyrë dhe zotim  vetes, sikur që jemi zotuar që figurën tënde ta mbajnë në lartësinë që Ti vet e ngrite e kujtimi për Ty do të jetë i përjetshëm sikur që puna e jote do të jetë udhërrëfyes i ndritur për ne.Të faleminderit president  për të gjitha e prehu në paqe legjendë dhe mik im Fadil.

Me përulësi

Bashkëpunëtori yt

Agim Ademi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test